Lidhje

Komuniteti ndërkombëtar, i shqetësuar për situatën e tensionuar në Luginën e Preshevës - 2003-02-20


Përfaqësues të misionit vëzhgues të Bashkimit Evropian, të OSBE-së dhe të NATO-s në vizituan të enjetn Beogradin në përpjekje për të qetësuar situatën e tensionuar në Luginën e Preshevës, të krijuar pas arrestimit të shtatë pjesëtarëve të ish- Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujaneci, të cilët janë akuzuar nga zyrtarët serbë për terrorizëm. Ata biseduan me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve dhe të serbëve dhe me shefin e trupit bashkërendues të shtetit për jugun e Serbisë, Nebojsha Çoviq.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Beograd, Mauricio Masari në një konferencë për gazetarë, pas takimeve që zgjatën gjithë ditën, deklaroi se bashkësia ndërkombëtare dhe OSBE-ja do të bëjnë çmos për të frenuar krimin e organizuar dhe dhunën të cilat mund ta çregullojnë procesin paqesor në rajonin e Luginës së Preshevës.

Ai vuri në dukje se kriminaliteti do të sanksionohet kurse përparësitë e Kosovës këtë vit janë lufta kundër tregëtimit ilegal të armëve, drogës dhe njerëzve. Sipas tij, OSBE-ja është e përkushtuar që para se gjithash të ndihmojë ekonomikisht rajonin e jugut të Serbisë.

Kryetari i trupit bashkërendues për jugun e Serbisë, Nebojsha Çoviq u ka thënë gazetarëve se kriminaliteti i organizuar që ka sjellë shkallëzimin e dhunës gjatë dhjetë ditëve të shkuara, është produkt i kohëve të kaluara.

“Ne kemi program plotësisht konkret për integrimin e bashkësisë kombëtare shqiptare në të gjitha strukturat e shtetit të Serbisë”, tha Çoviq pas takimeve. Ai theksoi në veçanti se autoritetet e Beogardit nuk do të bien në kurthin e tyrsnive të atyre që po orvaten që situatën e rëndë ekonomike ta shfrytëzojnë për shkallëzimin, siç thotë ai, të ekstremizmit, terrorizmit dhe të dhunës me anë të kriminalitetit të organizuar.

Ndërkaq prefekti i Bujanocit, Nagip Arifi në konferencën e përbashkët për shtyp deklaroi se më 3 mars në Bujanoc do të mbahet konferenca ndërkombëtare e dhuruesve për Luginën e Preshevës.

Gjatë ditës, shefi i misionit të OSBEs në Beograd, Mauricio Masari pati një sërë takimesh me përfaqëseusit e vetadministrimit lokal nga Bujanoci e Presheva si dhe me kryetarin e Lëvizjes për Progres Demokratik, Jonuz Musliu.

Kurse përfaqësuesit e NATO-s patën takime të veçanta me nënkryeministrin serb, Çoviq dhe përfaqësuesit politikë të shqiptarëve nga Bujanoci e Presheva.

Burimet zyrtare serbe në Beograd njoftojnë se zoti Çoviq do të shkojë për vizitë në Moskë ku me shefin e diplomacisë ruse Igor Ivanov do të bisedojë për gjendjen në Kosovë. Çoviq ishte në Moskë në prill të vitit të kaluar, kur po për gjendjen në Kosovë bisedoi me ministrin e Jashtëm të Rusisë.

Vizita e kësaj radhe, siç thonë burimet zyrtare bën pjesë në konsultimet e rregullta të nënkryeministrit serb Çoviq dhe shefit të diplomacisë ruse, Ivanov.//kk//

XS
SM
MD
LG