Lidhje

Vaksinë kundër Sidas; Inxheksione pa Gjilpërë; Paisje kundër Erës së Keqe;Robot Imitues - 2003-02-25


Vaksina e re Aidsvaks u provua tek 5400 pacientë dhe rezultatet e shpallura dje duken jo plotësisht të kënaqëshme. Rezultatet e shumëpritura nga kompania VaxGen me qendër në Kaliforni, e cila u mor me eksperimentimin e vaksinës së sidës, tregojnë se produkti i ri vetëm sa e uli përhapjen e infeksionit me virusin HIV që shkakton sidën. Në eksperimentet që u bënë me 5,400 njerëz me shkallë të lartë rrezikimi në Shtetet e Bashkuara dhe në Hollandë, numri i të prekurve ra 3,8 përqind.

Kur u analizuan shifrat, doli se njerëzit me origjinë aziatike ose zezake që morën vaksinën u infektuan 67 përqind më pak se sa ata që nuk e morën atë. Ndërsa midis zezakëve, infektimi ishte 78 përqind më i ulët. Kompania shpreson se ky është ndoshta hapi i parë drejt luftimit të një sëmundjeje e cila deri tani ka shkaktuar vdekjen e 28 milion njerëzve në botë.

Në eksperiment morën pjesë vetëm 498 vetë me origjinë zezake dhe aziatike, kështuqë është e vështirë që shifrat të interpretohen me saktësi. Por është fakt se kjo pjesë e popullatës dukej se prodhonte më shumë antitrupa se sa njerëzit e tjerë, prandaj kompania po merret tani me studimin e mëtejshëm të kësaj kategorie për të parë nëse mund t’i bëjë përmirësime vaksinës.

Shkencëtarë të ndryshëm e përshëndetën rezultatin e vaksinës eksperimentale. Kompania VaxGen thotë se nuk është e qartë nëse këto rezultate do t’i kënaqin autoritetet shëndetësore amerikane, të cilat kanë kërkuar që vaksina e re ta ulë ritmin e infektimit në masën 30 përqind.

INXHEKSIONE PA GJILPËRË

Kompania amerikane Bioject Medical ka prodhuar një teknologji që eleminon dhimbjen e shkaktuar nga inxheksionet. Shumë njerëz, sidomos fëmijët, kanë frikë nga inxheksionet për shkak të dhimbjes që ato shkaktojnë kur shpojnë lëkurën. Por jo vetëm fëmijët. Shumë të rritur do ta mirëprisnin një mënyrë më të lehtë për të marrë inxheksionet.

Tani pacientët kanë një alternativë pa gjilpërë, nëpërmjet një paisjeje të prodhuar nga firma Bioject Medical. Drejtori Jim O’Shea thotë se strategjia e firmës është ta bëjë këtë një pajisje për përdorim të gjërë. Ai thotë se paisja pa gjilpërë është mjaft efektive si në prodhimin edhe në përdorimin e saj.

Tani për tani, Bioject Medical me qëndër në Nje Jersey ka hyrë në bisedime me firma të ndryshme farmaceutike për prodhimin në masë të paisjes së re.

PAISJE E RE QË LUFTON ERËN E GOJËS

Era e keqe e gojës shqetëson miliona vetë dhe në Shtetet e Bashkuara ekziston një industri e tërë të merret me këtë problem.

Mjeku Anthony Dailley thotë se ka kuruar mijëra vetë që vuanin më parë nga era e rëndë e frymës. Ai ka krijuar një paisje të quajtur Halimetër e cila përcakton shkallën e squfurit, një nga prodhuesit e baktereve që shkaktojnë frymën e keqe.

Por nëse fryma është jashtëzakonisht e keqe, doktor Dailley përdor Hydrofloss, paisje për larjen e gojës me ujë të jonizuar për të pastruar gjuhën nga bakteret.

Në farmaci ka shumë solucione që pretendojnë se zgjidhin problemin e erës së gojës, por mjekët thonë se jo të gjitha ato përmbushin premtimet. Për shembull, solucionet që përmbajnë alkohol, e bëjnë problemin edhe më të rëndë pasi alkoholi ndikon në tharrjen e gojës. Sipas ekspertëve solucionet për larjen e gojës shmangin erën e keqe të frymës mesatarisht vetëm për 15 minuta.

NJË ROBOT QË IMITON NJERIUN

Këto ditë në muzeun e shkencës në Çikago u bë demonstrimi i një roboti jo të zakonshëm. Roboti me përmasat e njeriut quhet Asimo. Ai është prodhim i firmës së automobilëve Honda.

Pas një punë kërkimore 4 vjeçare shkencëtarët tani thonë se roboti është në gjendje të imitojë pothuajse çdo lëvizje të njeriut. Ata thonë se qëllimi i tyre kryesor është që nëpërmjet robotit Asimo të ndihmojnë që -jeta e njeriut të bëhet më e lehtë. Ndërkohë roboti Asimo vazhdon të demonstrohet në qëndra të ndryshme shkencore e arsimore në mbarë Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG