Lidhje

SHBA dhe rezoluta 1441 e Kombeve të Bashkuara - 2003-02-27


Në nëntor të vitit të kaluar, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri rezolutën 14-41, e cila i kërkonte Irakut të pranonte rikthimin e inspektorëve të armëve të OKBs. Këshilli i Sigurimit e miratoi rezolutën sepse e dinte që Sadam Husein kishte armë të shkatërrimit në masë.

Në vitin 1991, si kusht për përfundimin e luftës në Gjirin Persik, diktatorit irakian iu kërkua që t’i shkatërronte këto armë. Ai luajti si macja me miun me inspektorët e armëve të Kombeve të Bashkuara. Ai u përpoq të mashtronte Kombet e Bashkuara dhe pranoi se kishte armë të shkatërrimit në masë vetëm pasi ato u gjetën nga inspektorët. Në vitin 1998 inspektorët u detyruan të largoheshin nga Iraku.

Inspektorët janë rikthyer në Irak, dhe si gjithnjë Sadam Huseini i është rikthyer taktitave të tij. Ai ende nuk ka paraqitur prova për asgjësimin e antraksit, gazit mustard dhe helmeve të tjera të cilat dihet se zotërohen nga Iraku. ”Dhe ky fakt, tha sekretari amerikan i shtetit Colin Powell, është ajo që na shqetëson.”

Siç ka thënë zoti Powell, mendohet se Sadam Husein zotëron ”armë të shkatërrimit në masë dhe provat e vërtetojnë këtë supozim. Çështja është thjesht që Iraku të çarmatoset, që ai të heq dorë nga armët e shkatërrimit në masë. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet rezolutës së tij 14-41, kërkoi që Iraku të përmbushë detyrimet ndërkombëtare dhe t’i asgjësojë këto armë.”

Nëse Sadam Huseini nuk çarmatoset, atëherë këtë do ta bëjë një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. ”Ne nuk do të shkatërrojmë Irakun, ka thënë zoti Powell. ”Ne do të përpiqemi ta ndryshojmë atë regjim, të ruajmë institucionet e Irakut, t’i japim popullit të tij një jetë më të mirë duke i përdorur pasuritë e tyre të naftës jo për të prodhuar armë të shkatërrimit në masë, apo për të kërcënuar fqinjët e tyre, por për të ndërtuar një shoqëri më të mirë për vetë popullin e Irakut.”

Iraku i përket populli irakian. Siç ka thënë sekretari Powell, nëse lind nevoja që të përdorim forcën për të ndryshuar regjimin e Sadam Huseinit, Shtetet e Bashkuara dhe koalicioni ndërkombëtar do t’i gjenden pranë popullit irakian me ndihma humanitare për ta ndihmuar atë që të rindërtojnë vendin pas gjithë këtyre vitesh shkatërrimesh, si pasojë e Sadam Huseinit, dhe për të vendosur rendin në atë pjesë të botës.”

//rd//

XS
SM
MD
LG