Lidhje

Këshilli i Sigurimit zhvilloi bisedime për projektrezolutën mbi Irakun - 2003-02-27


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zhvilloi të enjten diskutime rreth një projektrezolute të paraqitur nga Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Spanja që mund të përgatisë terrenin për veprime ushtarake kundër Irakut.

Franca, Rusia dhe Gjermania e kanë kundërshtuar projektrezolutën dhe kanë paraqitur një memorandum që kërkon vazhdimin e inspektimeve të OKB-së për armët.

Presidenti Bush i telefonoi sot presidentit rus, Vladimir Putin, për të diskutuar mbi Irakun. Kremlini tha se të dy udhëheqësit u zotuan të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën irakiane në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke pasur parasysh interesat e komunitetit ndërkombëtar.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer tha se Presidenti Bush dhe udhëheqësi rus ishin të një mendjeje lidhur me nevojën për të çarmatosur presidentin irakian Sadam Husein.

Po të enjten Kina dhe Rusia bënë një komunikatë të përbashkët në të cilën ritheksonin kundërshtimin e tyre ndaj veprimeve ushtarake kundër Irakut. Ministri i jashtëm rus, Igor Ivanov, dhe homologu i tij kinez, Tang Jiaxuan, bënë një deklaratë pas takimit të tyre sot në Pekin.

Gjatë një fjalimi që u transmetua të mërkurën nga televizioni në mbarë vendin, presidenti Bush parashtroi vizionin e tij të një Iraku pas Sadam Huseinit. Presidenti tha se një Irak i çliruar mund të transformojë mbarë rajonin duke sjellë shpresë dhe përparim në jetët e miliona vetëve në Lindjen e Mesme ku, regjimi aktual irakian “ka përhapur vetëm çrregullime dhe dhunë.”//kk//

XS
SM
MD
LG