Lidhje

Intervistë me analistin Janusz Bugajski - 2003-02-27


Arrestimi javën e kaluar i deputetit të parlamentit të Kosovës dhe një prej drejtuesve të ish-UÇK-së, Fatmir Limaj, tronditi si opinionin publik edhe qarqet politike të Kosovës. Ndërsa shqiptarët i kanë parë me rezerva këto arrestime, analistë të ndryshëm perëndimorë thonë se drejtësia në Kosovë do të vihej në vend vetëm në se të gjithë autorët e krimeve, qofshin këta sërbë apo edhe shqiptarë, u nënshtrohen standarte të barabarta hetimore. Korespondentja jonë Zamira Edwards, bisedoi para pak ditësh me analistin Janusz Bugajski, drejtor i zyrës për Evropën Lindore pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Zoti Bugajski thotë se Kosova duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare për sa i përket Gjykatës së Hagës.

VOA:Arrestimi javën e kaluar i deputetit të parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj, dhe i 3 luftëtarëve të ish UÇK-së kanë shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik dhe në qarqet politike, megjithëse shumë politikanë shqiptarë e kanë përshëndetur gadishmërinë e zotit Limaj për tiu dorëzuar gjykatës së Hagës. Si i shikoni ju këto zhvillime në Kosovë?

JB: Kosova si një vend që aspiron të bëhet shtet duhet të respektojë të njëjtat marrëveshje ndërkombëtare për sa i përket Gjykatës së Hagës ashtu si Sërbia, Mali i Zi, Bosnja, Kroacia dhe vende të tjera në rajon. Natyrisht që do të bëhen hetimet përkatëse e do të zhvillohet gjyqi, dhe në se gjenden prova vendimtare që zoti Limaj dhe të tjerë kanë marrë pjesë në krime lufte, atëhere drejtësia duhet të vihet në vend. Edhe në se vërtetohet pafajësia e tyre, drejtësia përsëri do të vihet në vënd. Por mendoj se është shumë e rëndësishme për Prishtinën, për Kosovën që të tregojë se si pjesë e komunitetit ndërkombëtar shqiptarët respektojnë ligjin ndërkombëtar.

VOA: Në Kosovë ka pasur zëra që janë shprehur të pakënaqur me akuzat për krime lufte të ngritura kundër shqiptarëve. Shqiptarët e kanë shikuar veten si viktima dhe jo si autorë të krimeve. Ç’mendoni ju, si do të ndikojnë këto arrestime dhe arrestime të tjera të mundshme në të ardhmen në situatën e përgjithshme në Kosovë.

JB: Është e qartë se shqiptarët në Kosovë kanë qënë viktima të politikës së Beogradit. Megjithatë, është shumë e rëndësishme për besueshmërinë dhe legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të jetë në gjendje të bëjë dallimin midis luftëtarëve të rregullt dhe atyre personave, që mund të kenë qënë përgjegjës për krime lufte, për vdekjen e civilëve dhe shkelje të tjera. Në se do të përpiqeshim të shfajësonim çdo veprim, atëhere e gjithë Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të diskreditohej në mënyrë kolektive, që për mendimin tim do të ishte diçka e gabuar. Mendoj se duhet bërë dallimi midis luftëtarëve të zakonshëm, njerzve të thjeshtë, që morën pjesë në luftë, viktimave të luftës nga njëra anë dhe atyre që u angazhuan në krime lufte dhe duhet ta pranojmë se disa persona kanë kryer krime lufte. Populli i Kosovës duhet ta kuptojë se këto gjëra nuk mund të shikohen në mënyrë kolektive, me fjalë të tjera, është e vërtetë që ata ishin të gjithë viktima, por ka patur gjithashtu edhe disa individë, për të cilët me sa duket Gjykata e Hagës ka prova se kanë kryer akte që janë të papranueshme në botën e qytetëruar ku jetojmë.

VOA: Për një kohë të gjatë ju keni qënë përkrahës i pavarësisë së Kosovës. Herë herë kjo çështje del në sipërfaqe; shqiptarët, duke përfshirë këtu edhe politikanët, shprehen për pavarësinë e Kosovës. Si e shikoni ju statusin përfundimtar të Kosovës?

JB: Statusi përfundimtar i Kosovës do të jetë ai i një shteti të pavarur. Pas statusit përfundimtar, Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe shpresoj që të bëhet edhe pjesë e NATO-s. Çështja kryesore është se si do të arrihet në këtë pikë dhe sa shpejt. Me fjalë të tjera, si të ndryshohet formula e paraqitur nga UNMIK-u, që është vendosja e standarteve para statusit, për ta bërë atë si të thuash standarte me status, sepse popullata e Kosovës duhet të ketë një objektiv përfundimtar, një vizion, përndryshe strandartet nuk do të përmbushen plotësisht. Statusi përfundimtar, premtimi i pavarësisë dhe krijimi i shtetit të pavarur do të garantonte përmbushjen e standarteve evropiane dhe perëndimore për institucionet, ligjin, tregun e lirë, luftën kundër krimit e kështu me radhë. Pra për mendimin tim, statusi përfundimtar i Kosovës do të jetë shtet i pavarur, por përsëri çështja kryesore që ka mbetur për tu zgjidhur është si të arrihet tek pavarësia e Kosovës dhe cila është mënyra më e shpejtë.

//rd//

XS
SM
MD
LG