Lidhje

Fleischer: Sadam Huseini nuk do të lihet në pushtet në rast se fillon lufta - 2003-03-03


Administrata e presidentit Bush thotë se udhëheqësi irakian Sadam Husein do të përmbyset nga pushteti në qoftë se Shtetet e Bashkuara vendosin të ndërmarrin një sulm ushtarak për të çarmatosur Bagdadin.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, tha të hënën se presidenti Sadam Husein nuk do të lihet në pushtet në rast se fillon lufta. Por ai e la të hapur mundësinë që udhëheqësi irakian mund ta mbajë postin e tij në qoftë se Iraku çarmatoset plotësisht.

Zëdhënësi Fleischer gjithashtu nuk përfilli, duke i quajtur mashtrime hapat e kohëve të fundit të ndërmarë nga Iraku për të treguar bashkëpunim me procesin e inspektimeve. Ai shtoi se Iraku i ndërmori hapat e fundit si pasojë e trysnisë që iu bë.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Hiro Ueki, tha se së shpejti Iraku do t’u japë inspektorëve të armëve një raport të ri mbi rezervat e anthraksit dhe të gazit nervor vdekjepreurës V-X, që Bagdadi thotë se i ka asgjësuar më shumë se dhjetë vjet më parë. Po të hënën, Iraku shkatërroi edhe 6 raketa të tjera të ndaluara Al-Samoud-Dy, duke e çuar në 16 numrin e raketave të shkatërruara.

Të hënën vonë, diplomatë në Kombet e Bashkuara thanë se Shtetet e Bashkuara dhe Britania ka të ngjarë të kërkojnë një votim javën e ardhshme lidhur me projekt-rezolutën e tyre, e cila hap rrugën për fillimin e luftës. Diplomatët thanë se këto dy vende si dhe Spanja, e cila gjithashtu mbështeti projekt-rezolutën, duan të votojnë pasi krye-inspektori i Kombeve të Bashkuara për armët, Hans Blix, të informojë të premten Këshillin e Sigurimit.

XS
SM
MD
LG