Lidhje

Intervistë me analistin Veton Surroi - 2003-03-04


Për të diskutuar më në hollësi mbi propozimin e administratorit Steiner për hapjen e bisedimeve midis Prishtines dhe Beogradit në emisionin Ditari të datës 4 mars, ftuam për një intervistë telefonike nga Prishtina, botuesin e gazetës Koha Ditore, zotin Veton Surroi.

EB: Zoti Surroi, cili është reagimi juaj ndaj propozimit të administratorit Steiner? A janë krijuar kushtet për bisedime të tilla dhe a ekziston një koncensus në Kosovë për fillimin e tyre?

VS: Unë nuk mendoj se ekziston konsensusi në Kosovë rreth këtyre bisedimeve. Nuk mendoj se forma e cila është zgjedhur është e mirë dhe nuk mendoj se koha për të bërë një gjë të tillë është e mirë. Pra për shumë arsye mendoj se ky ka qenë një hap që sikurse herë të tjera në të kaluarën rreth disa çështjeve të Kosovës kryeadministratori i ka bërë vetë pa krijuar një bazë konsultative pa i analizuar gjërat.

EB: Po, mesa dimë sot pala shqiptare do të marri pjesë në se zhvillohen këto bisedime apo jo?

VS: Unë dyshoj se një gjë e tillë do të bëhet. Me sa di unë kjo çështje do të diskutohet në parlamentin e Kosovës ditën e enjte. Deri atëherë shpresoj dhe mendoj se do të ndodhin edhe konsultime brenda grupeve parlamentare, brenda partive se këto janë çështje pak më serioze se sa ç’është elaburimi i tetë pikave, shtatë pikave, gjashtë pikave siç bën zoti Shtainer rreth këtyre çështjeve.

EB: Zoti Surroi, sot në një artikull redaksional ju jeni shprehur se shqiptaret hyjne ne keto bisedime me mangesi te medha: mungesa e kompetencave per te marre vendime dhe mungesa e nje platforme te qarte per bisedime. Ndersa udheheqesit shsqiptare nuk i kane ne dore kompetencat qe do te deshironin, cfare i pengon ata qe te punojne per te hartuar platformen e negociatave me Beogradin?

VS: Po unë nuk mendoj se i pengon gjë por mendoj se ka ekzistuar një vakum, një zbrazëtirë politike. Unë mendoj se brenda partive tona nuk ka ekzistuar një mendim më i avancuar rreth krijimit të politikave në Kosovë dhe unë mendoj se kjo zbrazëtirë duhet mbushur së shpejti. Unë mendoj se ky është fundi i një rruge në të cilën për shembull duhet biseduar me palën serbe për fushën energjitike ndërsa e dimë se fusha energjitike nuk që prej 4 vjetësh nuk është në duart e kosovarëve më herët nuk kanë qenë fare në duart e kosovarëve për shkak të pushtimit serb. Është shumë vështirë të debatohet rreth këtyre çështjeve pa patur një kornizë të vërtetë të politikave orientuese strategjike të Kosovës.

EB: Zoti Surroi, ne kushte te tilla, cfare do te sugjeronit ju? Si e shikoni ju procesin e bisedime me Beogradin? Cfare strategjie duhet te ndjeke Prishtina?

VS: Kosova duhet të bisedojë në tri rrafshe me Beogradin. Të bisedojë për të kaluarën nga njëra anë. Dua të them se ne nuk jemi fqinjë të cilët kanë pasur disa telashe të vogla dhe tash do ti spastrojnë ato. Këtu është zhvilluar një luftë gjenocidi nga ana e Serbisë dhe kjo është një pjesë e barrës që do ta mbajmë ne këtu dhe Beogradi zyrtarë. Duhet të bisedojmë edhe për të tashmen dhe kjo është korniza e bisedimeve praktike e cila duhet të vihet brenda një kontekst më të gjerë. Dhe së treti duhet të bisedojmë lidhur me ardhmërinë. Kur jemi tek ardhmënia nuk është çështja e statusit por korniza reale e Kosovës duhet të jetë korniza e integrimeve evropiane. Beogradi dhe Prishtina do të jenë kryeqytete të vendeve që do të hyjnë brenda 10 vjetësh në Bashkimin Evropian. Ky është konteksi real i bisedimeve tona dhe brenda një kornize evropiane mund të bisedojmë edhe rreth së kaluarës edhe rreth të tashmes por edhe rreth të ardhmes statusore të Kosovës.

EB: Dhe së fundi, Fatmir Limaj, u ekstradua në Hagë, sa e përgatitur është shoqëria në Kosovë për të përballuar drejtësinë ndërkombëtare?

VS: Shoqëria kosovare është treguar dinjitoze me çështjen për të bashkëpunuar me Hagën. Të gjithë liderët politik kanë shprehur gadishmërinë e tyre për të bashkëpunuar dhe kjo nuk është vënë në pyetje fare. Por unë kam kritikuar mënyrën sesi zoti Limaj është dashur të arrestohet kur ai me dinjitetin e vet shprehu gadishmërinë për tu paraqitur vetë. Shoqëria kosovare por edhe drejtësia ndërkombëtare dhe bashkësia ndërkombëtare që merret me këtë çështje do të fitonte shumë më tepër po qe se do të lavdërohej mënyra sesi qytetarët tanë e tregojnë me dinjitetin e tyre atë bashkëpunim i cili është i nevojshëm. Kjo do të tregonte shumë më tepër pjekurinë e shoqërisë sonë karshi shoqërive si Serbia ku me vite të tëra fshehen kriminelët e luftës dhe institucionet e pushtetit atje i mbrojnë kriminelët e luftës, njerëz që akuzohen për krime kundër njerëzimit.

//rd//

XS
SM
MD
LG