Lidhje

Shtajnër:  tani është koha e zgjidhjes së çështjeve teknike me interes të përbashkët - 2003-03-05


Shefi i UNMIK-ut Mihail Shtajnër i tha Zërit të Amerikës se lufta në Kosovë ka përfunduar dhe tani është koha e zgjidhjes së çështjeve teknike me interes të përbashkët. Ai i bëri këto komente në një intervistë për Zërin e Amerikës në Prishtinë një ditë pas ftesës që u dërgoi autoriteve të Beogradit për fillimin e bisedimeve me përfaqësuesit e Kosovës për zgjidhjen e çështjeve teknike.

SHM: Zoti Shtajnër, ju i keni dërguar një ftesë kryeministrit të Sërbisë Zoran Gjingjiq dhe zëvendësit të tij NebojshÇoviq për fillimin e bisedimeve në Prishtinë për çështje teknike të interesit të përbashkët. A mund të cilësohet si hapi i parë i vendosjes së kontakteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

MS: Më lejoni t’ju them. Shqipëria po e bënë një gjë të tillë, Maqedonia po e bënë një gjë të tillë, Kroacia e Sllovenia, Bashkimi Evropian, amerikanët, gjermanët, të gjithë po bisedojnë me Beogradin, prandaj mendoj se edhe kosovarët duhet ta bëjnë një gjë të tillë. Ne po flasim për bisedime që do të mbahen nga UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës në njërën anë dhe delegacioni ministror i Beogradit në anën tjetër, bisedime të barabarta, sy më sy. Këtu po flasim për çështje teknike dhe kjo është e rëndësishme, po kjo është e domosdoshme, sepse lufta ka përfunduar dhe tash duhet zgjidhur çështjet teknike, të cilat nuk mund të zgjidhen vetëm në Kosovë por edhe me fqinjët.

SHM: A keni marrë përgjigje zyrtare nga Beogradi dhe a mund të ketë tema tjera për diskutim pos atyre që ju keni propozuar?

MS: Këto janë çështjet që ne duhet t’i shqyrtojmë. Jo, unë ende nuk kam marrë përgjigje zyrtare. Pres përgjigje nga kryeministri. Parimi im është: bashkëpunim po, përzierje jo. Unë mendoj se ajo që duhet të bëjmë në Kosovë është që ta bëjmë qëndrimin tonë të qartë se si do të sillemi me fqinjët. Dhe unë mendoj se do ta bëjmë këtë në interes të qytetarëve, pra të zgjidhim çështjet që janë shqetësuese për qytetarët. Unë mendoj se duhet t’i tregojmë botës se Kosova pas një viti pune të institucioneve po shikon përtej kufijve të saj dhe po vendos kontakte me fqinjët.

SHM: T’i khehemi pak çështjes së Mitrovicës, ku ditëve të fundit sërish ka pasur incidente të dhunshme. Strategjia e hartuar prej jush, sipas shumë vëzhguesve ende nuk ka dhënë rezultatet e saj. Si e vlersoni ju vetë situatën e atjeshme dhe a mund të priten përmirsime deri në fund të këtij viti në zgjidhjen e çështjes së këtij qyteti?

MS: Unë gjithmonë e kam thënë se nuk mund ta përmirësojmë situatën brenda natës. Me qëllim që ta çojmë procesin përpara, e kam ndërruar adminsitartorin komunal. Unë mendoj se ekonomia është ruga më e mirë që t’i bëjmë njerzit bashkë. Ne kemi nevojë t’i bindim njerzit se është në inetersin e tyre që të jenë në anën e drejtë që është ana e bashkësisë ndërkombëtare. Nëse janë në anën e gabuar, kjo do të thotë vetëizolim. Vizioni për Mitrovicën mund të jetë vetëm ai për një qytet normal evropian. Kjo është ajo që dua të arrij. Mendoj që nëse e krahasoni situatën me të kaluarën mund të shikoni sukseset që kemi arritur, megjithëse mbetet ende shumë për tu bërë dhe kjo mer kohë.

SHM: Zoti Shtajnër, sa janë të përgatitura institucionet e Kosovës për bisedime të tilla?

MS: Çështja më e rëndësishme është se udhëheqësit shqiptarë i kanë bërë thirje opinionit publik që të mbështesin masa më energjike për të siguruar lirinë e lëvizjes, të drejtat e komuniteteve të vogla. Mendoj se kjo është shumë e rendësishme dhe e domosdoshme. Kryesorja është që komunitetet e mëdha të kuptojnë se cilat janë detyrimet e tyre ndaj komuniteteve më të vogla. Ndërsa komunitetet e vogla, përkatësisht serbët, duhet të kuptojnë se Kosova është vendi ku ata duhet të jetojnë dhe të pranojnë strukturat që i kemi vendosur në bazë të rezolutës 1244 dhe të inetgrohen në këto struktura. Kjo është e vetmja rrugë për të ecur përpara, ndërsa të gjitha të tjerat, idetë për ndarje, zgjidhje territoriale, federalizime, nuk janë të pranueshme.

SHM: Mënyra e arrestimit të ish pjestarëve të UCK-së nën akuzat e Gjykatës së Hagës kanë nxitur reagime edhe tek disa përfaqësues politik të cilët pohojnë se, siq thuhet, arrestimet spektakulare janë të panevojshme kur dihet gadishmëria e tyre për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare. Cili është komenti juaj?

MS: Pajtohem plotësisht se nëse kemi udhëzime nga Haga, një fletarrest, atëherë është shumë më mirë nëse personi i caktuar dorëzohet vullnetarisht në Hagë. Jam shumë i inkurajuar me faktin se në rastin për të cilin flisni, personi ishte i gatshëm të shkojë vullnetarisht në Hagë. Dorëzimi vullnetar në Hagë është rruga më e mirë.

SHM. Zoti Steiner, ju keni zhvilluar një takim te vecantë me z. Ali Ahmeti kryetar i BDI-së. Cili ishte qëllimi i kësaj vizite që është bërë me ftesën tuaj?

MS: Patjetër që duhet të kemi marëdhënie sa më të mira me fqinjët. Kjo është shumë e rëndësishme veçanërisht për Maqedoninë. Mendoj se patëm bisedime mjaft të mira. Jemi të një mendimi se është në interesin e shqiptarëve në Maqedoni si dhe të qytetarëve të Kosovës që situata është qetësuar. Ne jemi të një mendimi se çdo ide për zgjidhje territoriale, çdo ide për ndarje të njerëzve është në kundërshtim me nevojat tona. Ajo që na duhet është që njerëzit të kuptojnë se komunitetet kanë të drejtat e tyre dhe të kuptojnë se vetëm nëpërmjet normalizimit të situatës mund të zgjidhin çështjet kryesore si situata ekonomike, shkalla e lartë e papunësisë. Këto janë çështje që duhen zgjidhur.

//ze//

XS
SM
MD
LG