Lidhje

Franca, Rusia dhe Gjermania nuk do të pranojnë një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit - 2003-03-05


Megjithë deklaratat e Francës, Gjermanisë dhe Rusisë se do ta bllokojnë një rezolutë të Kombeve të Bashkuara që do të krijonte terren për ndërhyrje ushtarake kundër Irakut, Presidenti Bush beson se projektrezoluta do të miratohet në Këshillin e Sigurimit

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer nuk i vuri rëndësi kërcënimit të ministrave të jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Rusisë, duke thënë se qëndrimi i këtyre vendeve nuk është e thënë të pasqyrohet patjetër në votimin që do të zhvillohet në Këshillin e Sigurimit në lidhje rezolutën e re mbi Irakun. "Edhe në të kaluarën, zyrtarë të ndryshëm kanë bërë deklarata të ngjashme, prandaj jam i mendimit se përfundimisht do ta mësojmë qëndrimin e vendeve të ndryshme, pikërisht në momentin e votimit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara", tha zëdhënësi.

Zoti Fleischer u tha gazetarëve ”të mos arrijnë në ndonjë konkluzion” në lidhje me çështjen se si do të votojnë vendet e ndryshme për rezolutën e propozuar nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ajo është pjesë e së ashtuquajturës ”gjendje fluide” e ”diplomacisë aktuale”.

Rusia dhe Franca kanë të drejtën e vetos ndaj rezolutës së re të propozuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila nuk autorizon në mënyrë konkrete përdorimin e forcës, por shpreh zotimin për zbatimin e paralajmërimeve të mëparshme për ”pasoja të rënda”, në rast se Iraku nuk çarmatoset.

Franca, Gjermania dhe Rusia ofrojnë një propozim që bie në kundërshtim me rezolutën e re dhe që kërkon kohëzgjatjen e inspektimeve të armëve. Zoti Fleischer tha se Presidenti Bush vazhdon të ketë besim se do të mund t’i sigurojë votat e nevojshme për miratimin e rezolutës së Shteteve të Bashkuara.

//rd//

XS
SM
MD
LG