Lidhje

Autoritetet pakistaneze kapin Khalid Shaikh Mohammed - 2003-03-06


Më 1 mars, u kap nga autoritetet pakistaneze Khalid Shaikh Mohammed, udhëheqës i lartë i rrjetit terrorist al-Qaida, së bashku me dy persona të tjerë që dyshohet të jenë terroristë të kësaj organizate. Khalid Shaikh Mohammed është tani në duart e autoriteteve amerikane.

Në vitin 1996, një gjykatë e Shteteve të Bashkuara kishte ngritur padi penale kundër Khalid Shaikh Mohammedit, nën akuzat se kishte planifikuar shpërthime në aeroplanë udhëtarët. Ai mban përgjegjësi për sulmet terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara në të cilat humbën jetën mbi 3 mijë veta nga më se 90 vende të botës. Ai akuzohet gjithashtu për lidhje me sulme të tjera terroriste të al-Qaidës, duke përfshirë shpërthimet e vitit 1998 në ambasadat e Shteteve të Bashkuara në Kenia dhe Tanzani. Qindra njerëz u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën nga këto shpërthime. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, e quajti atë “një planifikues kryesor të al-Qaidës dhe organizatorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit.”

Pak njerëz e njohin al-Qaidën aq mirë sa Khalid Shaikh Mohammedi. Ai ka luajtur rol kryesor në rekrutimin dhe stërvitjen e terroristëve të al-Qaidës dhe në planifikimin e sulmeve të këtij rrjeti terrorist, duke përfshirë edhe shpërthimin e parë në Qendrën e Tregtisë Botërore në Nju Jork, në vitin 1993, për të cilin nipi i tij, Ramzi Yousef, u dënua. Yousef u arrestua në Filipine, nën akuzat se në vitin 1995 kishte komplotuar së bashku me Khalid Shaikh Mohammedin e të tjerë për të hedhur në erë 12 aeroplanë pasagjerësh me destinacion Shtetet e Bashkuara.

Sipas një zyrtari të lartë të policisë gjermane, terroristi që kreu shpërthimin në një sinagogë në Tunizi në prill të vitit 2002, kishte biseduar në telefon me Khalid Shaikh Mohammedin 15 orë para shpërthimit. Sipas njotimeve, Mohammedi ishte ai që vrau me dorën e tij gazetarin e Wall Street Journal, Daniel Pearl, në Pakistan në vitin 2002. Sipas njoftimeve, terroristë të al-Qaidës, të kapur nga Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Mohameddi drejtonte përpjekjet e al-Qadës për të shtënë në dorë një armë radioaktive të shkatërrimit në masë.

Kapja e Khalid Shaikh Mohammedit është një goditje e rëndë për rrjetin e al-Qaidës, një nga disa goditjet që ky rrjet ka marrë vitin e kaluar. Në prill të vitit 2002, autoritetet pakistaneze arrestuan dhe u dorëzuan Shteteve të Bashkuara, Zayn al-Abidin Mohamed Husayn, të njohur me emrin Abu Zubaydah. Ai kishte luajtur një rol të rëndësishëm në organizimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Anëtari i al-Qaidës, i cili ndihmoi në financimin e këtyre sulmeve, Ramzi Binalshihb, u arrestua në Pakistan në shtator të vitit 2002. Gjatë vitit të kaluar autoritetet pakistaneze kanë arrestuar rreth 500 persona që dyshohet të jenë anëtarë të al-Qaidës.

Kapja e Khalid Shaikh Mohameddit flet qartë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me aleatët e tyre derisa të gjithë terroristët e al-Qaidës të nxirren para drejtësisë.

//rd//

XS
SM
MD
LG