Lidhje

Kalendari Historik 12 mars - 2003-03-07


Më 12 mars 1947 presidenti Harry Truman shpalli një politikë të re të jashtme amerikane, e cila bënte thirrje për frenimin e komunizmit. Në një fjalim drejtuar Kongresit, ai kërkoi fonde për Greqinë dhe Turqinë, në mënyrë që këta dy vende të mund të mposhtnin kryengritjet e udhëhequra nga komunistët. Kjo politikë u njoh me emrin Doktina Truman. “Unë, tha presidenti Truman, mendoj se politika e Shteteve të Bashkuara, duhet të mbështesë popujt e lirë, që po u rezistojnë përpjekjeve për t’i nënshtruar, që bëhen nga pakica të armatosura, apo nga presion i jashtëm. Mendoj që ne duhet t’i ndihmojmë popujt e lirë të ndërtojnë të ardhmen e tyre sipas mënyrës së tyre. Jam i mendimit që ne duhet t’i ndihmojmë ata kryesisht ekonomikisht dhe financiarisht, gjë që është e domosdoshme për stabilitetin ekonomik dhe për proceset e rregullta politike.” Kongresi i Shteteve të Bashkuara ra dakord me kërkesën e presidentit Truman dhe miratoi një fond prej 400 milionë dollarësh për të ndihmuar Greqinë dhe Turqinë. Doktrina Truman u bë një nga shtyllat e politikës së jashtme amerikane gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

Më 12 mars 1933 presidenti i Shteteve të Bashkuara, Franklin Roosevelt, foli drejtpërdrejt me popullin amerikan, nëpërmjet një fjalimi në radio nga Shtëpia e Bardhë. Tetë ditë pas përurimit të tij, zoti Roosevelt foli me popullin për mënyrën se si mendonte të rigjallëronte sistemin bankar të Shteteve të Bashkuara, që ishte dëmtuar rëndë, për shkak të kaosit ekonomik, që kishte mbizotëruar në muajt e parë të rënies së madhe ekonomike. Një hap i tillë merrte një rëndësi të veçantë, pasi ishte hera e parë që një president amerikan përdorte radion për t’i folur drejtpërdrejt popullit amerikan, duke kërkuar mbështetje për politikat e tij.//kk//

XS
SM
MD
LG