Lidhje

Bush:  Ndaj Irakut do të përdoret forca nëse ai nuk çarmatoset plotësisht dhe pa kushte - 2003-03-08


Në fjalimin javor në radio presidenti Bush tha se njerëzit kudo në botë luten për paqe. Por ai tha se paqja do të sigurohet vetëm kur terroristët të humbasin një përkrahës dhe mbrojtës të pasur dhe kur Sadam Huseini të çarmatoset plotësisht dhe përfundimisht.

“Ne nuk mund të presim për të parë se çfarë mund të bëjnë terroristët apo shtetet terroriste me armët e tyre të shkatërrimit në masë. Ne jemi të vendosur t’u kundërvihemi kërcënimeve kudo që të shfaqen. Dhe si mjet të fundit ne duhet të jemi të gatshëm të përdorim forcën ushtarake. Ne jemi duke bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të shmangur luftën në Irak. Por në se nuk çarmatoset në mënyrë paqësore, Sadam Huseini do të çarmatoset me forcë.”

Të premten kryeinspektori i armëve i OKB-së, Hans Blix, tha se Iraku ka hedhur hapa të rëndësishme drejt çarmatimit, por shtoi se ato nuk mund të tregojnë se ky vend është duke përmbushur plotësisht kërkesat e OKB-së për t’u çarmatosur. Dje presidenti Sadam Husein lëshoi një deklaratë në të cilën thoshte që përderisa Iraku po plotëson kërkesat për shkatërrimin e raketave të ndaluara, Al-Samoud Dy, Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet t’i heqë sanksionet e vëna pas Luftës së Gjirit Persik të vitit 1991.

Presidenti Bush e cilësoi shkatërrimin e raketave një shfaqje publike. Zoti Bush thotë se të dhënat e zbulimit tregojnë që ndërsa shkatërrohen raketat, Sadam Huseini ka urdhëruar të vazhdojë prodhimi i të njëjtave armë.

“Këto nuk janë veprime të një regjimi që është duke u çarmatosur. Këto janë veprime të një regjimi që ka hyrë në rrugën e parodive të vullnetshme. Sikur regjimi irakian të çarmatosej, ne do ta dinim këtë gjë, sepse do ta shihnim. Armët e Irakut do t’u ishin treguar inspektorëve dhe do të ishin shkatërruar.”

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Spanja, mbështesin një propozim për t’i dhënë Irakut afat deri më 17 mars që të zbatojë rezolutat e Kombeve të Bashkuara, ose përndryshe do të përballet me operacione ushtarake. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Igor Ivanov, tha dje se Moska nuk do ta mbështesë projektrezolutën, duke vënë në dukje se inspektimet në Irak duhet të vazhdojnë për një kohë më të gjatë. Franca dhe Kina e mbështesin këtë qendrim. Presidenti Bush thotë se ajo që u duhet inspektorëve është bashkëpunimi i Bagdatit.

“Ekipeve të inspektorëve nuk u duhet më shumë kohë, apo më shumë personel. Ajo që u duhet atyre, është ajo që asnjëherë nuk e kanë pasur:bashkëpunimi i plotë i regjimit irakian. I vetmi rezultat i pranueshëm do të ishte ajo që është kërkuar tashmë njëzëri nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, çarmatimi i plotë i Irakut.”

Të gjitha palët do të vazhdojnë përpjekje intensive diplomatike gjatë ditëve të ardhshme, ndërkohë që 250 mijë trupa, kryesisht amerikane dhe britanike, janë të gatshme të sulmojnë Irakun. Propozimi për të caktuar 17 marsin si afatin e fundit për çarmatimin e Irakut mund të hidhet në votë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara jo më vonë se të martën.//ic//

XS
SM
MD
LG