Lidhje

Diplomacia e votave ne veprim - 2003-03-10


Ministri i jashtëm rus, Igor Ivanov, thotë se Rusia do të votojë kundër një projektrezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që do t’i hapte rrugën luftës kundër Irakut.

Zoti Ivanov u tha gazetarëve sot në Moskë se projektrezoluta përmban kërkesa të parealizueshme. Ai tha se nëse projektrezoluta hidhet në votë, Rusia do të votojë kundër saj.

Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, Rusia ka të drejtën e vetos dhe si rrjedhim nëse Moska voton kundër, ajo do të bllokonte miratimin e projektrezolutës.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë u shpreh se as Franca dhe as Rusia nuk do të përdorin veton kundër projektrezolutës. Zëdhënësi Ari Fleischer tha se një veto do të përbënte diçka më tepër se zhgënjim.

Zoti Fleischer tha se presidenti Bush po zhvillon biseda telefonike me udhëheqës botërorë në përpjekje për t’i bindur ata që të mbështesin projektrezolutën e paraqitur nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania. Projektrezoluta e propozuar do t’i jepte Irakut afat deri të hënën e ardhshme, më 17 mars, për të provuar se nuk ka më armë të shkatërrimit në masë, përndryshe të ndeshet me veprime ushtarake.

Franca është vënë në krye të përpjekjeve diplomatike për të bllokuar miratimin e projektrezolutë dhe për t’u dhënë inspektorëve të OKB-së për armët më shumë kohë për të përfunduar punën e tyre.

Sot, të dyja palët po përqendrohen tek tri vende afrikane, Angolën, Kamerunin dhe Guinenë, aktualisht anëtare të Këshillit të Sigurimit, të cilat ende nuk kanë deklaruar sise do të votojnë.//ii

XS
SM
MD
LG