Lidhje

Raport i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Shqipërinë - 2003-03-11


Grupi Ndërkombëtar i Krizave paralajmëron se problemet e thella ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë mund të shndërohen në probleme politike, në se lihen pa u zgjidhur.

Në raportin e tij të përvitshëm për gjendjen në Shqipëri, të botuar sot, grupi i ndërkombëtar i krizave thotë se ndërsa klima politike është më e qetë, dhe në shumicën e vendit është vendosur stabiliteti, pak përparim është bërë në drejtim të reformave institucionale të cilat vazhdojnë të pengohen nga korrupsioni i thellë dhe nga paaftësia e sektorit publik.

Qeveria thuhet në raport, nuk po tregon asnjë shenjë se po e lufton me seriozitet korrupsionin. Konsensusi politik i arritur midis partive po prishet dhe tensionet pritet të shtohen me afrimin e zgjedhjeve lokale në tetor.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave thekson se qëndrimi gjithnjë e më konfrontues i qeverisë me shtypin ka bërë që shumica e organeve të shtypit të mbajnë një qëndrim pro-qeveritar. Në Shqipëri thuhet në raport, është rritur krimi i organizuar, sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë i dobët, papunësia është e lartë, rendimenti i ulët dhe kriza energjitike vazhdon. Varfëria e thellë, veçanërisht në pjesën veriore të vendit ka çuar në rritjen e emigracionit dhe të trafikut njerëzor.

Në raportin e tij Grupi Ndërombëtar i Krizave rekomandon që qeveria të përmbushë angazhimin e saj para opozitës dhe komunitetit ndërkombëtar për reformën zgjedhore, t’i japë përparësi zhvillimit të zonave të varfëra veçanërisht në veri të vendit duke krijuar një agjenci të re për zhvillimin e këtyre zonave, të luftojë më me ashpërsi korrupsionin dhe krimin e organizuar, të heqë dorë nga presioni ndaj shtypit dhe të marrë masa që Shqipëria të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare për lirinë e të shprehurit.

Në raport u bëhet thirrje Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Ndërkombëtar që të vazhdojnë ti kushtëzojnë ndihmat dhe negociatat për marrëveshjen e Asocim Stabilizimit me kryerjen e reformave institucionale dhe ndjekjen e politikave të përgjegjshme rajonale nga qeveria.

//rd//

XS
SM
MD
LG