Lidhje

Këshilli i Sigurimit në udhëkryq - 2003-03-11


Ndërkohë që superfuqia e vetme e botës është përgatitur të zhvillojë luftë me apo pa miratimin e OKB-së, Këshilli i Sigurimit e sheh veten, siç pohojnë disa analistë, në udhëkryq.

Aleanca të vjetra po prishen dhe të reja po dalin në skenë. Vende të tilla, si Franca dhe Gjermania, aleate të vendosura të Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës së Ftohtë, po e kundërshtojnë me forcë ndërhyrjen ushtarake amerikane. Nga ana tjetër, Bullgaria, dikur një vend komunist, është radhitur në mbështetje të Amerikës.

Robert Grey, diplomat në pension, i cili ka shërbyer si këshilltar politik në misionin amerikan pranë Kombeve të Bashkuara, thotë se në debati i tanishëm ka vënë në diskutim vetë strukturën e Kombeve të Bashkuara. “Problemi kryesor nuk është se ç’do të bëhet me Irakun. Problemi kryesor është se po rrezikohet sistemi që e kemi ndërtuar me durim për 60 vjetët e fundit. ” thotë zoti Grey.

Jean Krasno, bashkautore e një libri të botuar kohët e fundit mbi Kombet e Bashkuara dhe Irakun, thotë se debati nuk ka të bëjë vetëm me Irakun, por edhe mbi rendin botëror pas Luftës së Ftohtë. “Kjo është një krizë për OKB-në, pasi struktura e botës në këto momente është në formim e sipër. Si janë raportet e forcave në botë, krahasuar me raportet e pasqyruara në Kombet e Bashkuara? Po ashtu ekzistojnë shqetësime për politikat dominuese që mund të ndjekë superfuqia e vetme që ka mbetur në botë. Mendoj, thotë zonja Krasno, se kjo është ajo që po ndodh tani për tani dhe ky është një debat i sinqertë”.

Zonja Krasno, kryetare e Këshillit Akademik të Universitetit Yale mbi Sistemet e OKB-së, thotë se nga debati i tanishëm Këshilli i Sigurimit del i humbur. “Këshilli i Sigurimit tani për tani ndodhet në një pozitë të vështirë. Ai e gjen veten përballë dy alternativash: ose të shihet si një organ pa ndikim, në se nuk vepron, ose të shihet si një organ kukull i politikave amerikane, në se vepron, thotë zonja Krasno.

Siç theksojnë mjaft analistë dhe ish-diplomatë, shumë nga arkitektët e politikës së jashtme të administratës së presidentit Bush, e kanë parë prej kohësh OKB-në si një organizatë pa ndikim.

James Leonard, ish zyrtar i lartë i misionit amerikan pranë OKB thotë se kriza e tanishme do ta dëmtojë pa dyshim organizatën ndërkombëtare. Por ai shton se dëmi nuk do të jetë i pariparueshëm, sepse do të nevojitet ndihma e Kombeve të Bashkuara për ndërtimin e një Iraku të pasluftës. ”Debati do t’i shkaktojë dëm të madh, por që do të ndreqet me kalimin e kohës. Ka shumë probleme, për zgjidhjen e të cilave, Organizata e Kombeve të Bashkuara është e vetmja shpresë për ne”, thotë zoti Leonard.

Ashtu si vendeve të tjera, edhe OKB-së pritet t’i bëhet thirrje për të ndihmuar për lehtësimin e krizës humanitare që mund të shkaktojë një luftë në Irak.

//rd//

XS
SM
MD
LG