Lidhje

Qeveria shqiptare shton masat në luftën kundër korrupsionit - 2003-03-11


Qeveria dhe opozita po shfaqin tani një ndjeshmëri më të lartë ndaj korrupsionit dhe goditjes së tij në mënyrë sistematike.

Ministri i shtetit kundër korrupsionit, Blendi Klosi, deklaroi se qeveria po merr një seri masash ligjore dhe administrative për të frenuar dukurinë e përhapur në rradhët e zyrtarëve, dhe për këtë po bashkëpunon me të gjitha shoqatat dhe organizatat e angazhuara në këtë fushë.

Ai i bëri keto komente sot (11 mars) në një mbledhje të përbashkët me përfaqësues të prokurorisë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Avokatit të Popullit si edhe përfaqësues të pothuaj gjithë organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Tiranë.

Takimi u mbajt pas publikimit të një raporti të ekspertëve të Këshillit të Europës, ku vlerësohen dhe inkurajohen përpjekjet e Shqipërisë në këtë fushë pas një studimi të kryer në 34 shtete për nivelin e korrupsionit të administratës. “Kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për të reduktuar të gjitha pengesat burokratike që administarta publike shfaq në marrëdhëniet me qytetarët e thjeshtë dhe me biznesin, duke filluar me eleminimin e hallkave burokratike që administarta paraqit. Jemi përpjekur dhe po zbatojmë një reformë të thellë në administratën publike. Ne po përpiqemi të reduktojmë gjithnjë e më shumë institucionet e shtetit të cilat afrojnë parazitizëm dhe probleme ta pasqaruara qartë me publikun” - tha zoti Klosi.

Zoti Klosi shtoi se lufta kundër korrupsionit po gërshetohet me reforma në polici, drejtësi dhe rritjen e transparencës mbi çështjet ekonomike si privatizimi. Po sot edhe opozita e trajtoi këtë çështje si një temë kryesore të aksionit të saj politik. Kryetari i PD, Sali Berisha, vlerësoi si një hap të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit ngritjen e një komisioni parlamentar per hetimin mbi fondet publike të administruara nga bashkia e Tiranës. Ai tha se edhe më tej opozita do të japë ndihmesën e vet për këputjen e fijeve që lidhin politikën me krimin, cka sipas tij, përbën një detyrë urgjente për strukturat shtetërore e politike të vendit. “Patjetër do të ketë iniciativa të tjera. Për këtë nuk mund të ketë asnjë hezitim. Këputja e lidhjeve të politikës me krimin është një nga përparësitë absolute tona”. - tha Zoti Berisha.

Administrata shqiptare vlerësohet të jetë prekur ndjeshëm nga korrupsioni dhe ryshfetet. Por kjo temë përgjithësisht është më shumë një objekt i përplasjeve mes forcave politike sesa i reagimit qytetar.

//rd//

XS
SM
MD
LG