Lidhje

Vrasja e Xhinxhiçit - analistët komentojnë - 2003-03-12


Në intervistat që disa analistë të çështjeve të Ballkanit i dhanë sot Zërit të Amerikës, e cilësuan vrasjen e zotit Xhinxhiç një krizë për Serbinë dhe një periudhë të re errësire për të. Ata thanë se derisa gjendja në Serbi të sqarohet, aty nuk do të ketë ndonjë politikan që të merret me çështjet e Kosovës, prandaj politikanët kosovarë duhet të veprojnë vetë me shpejtësi. Korrespondenti ynë Ilir Ikonomi, na njeh me reagimet e studiuesve James Hooper, Harriet Hentges dhe Janusz Bugajski.

Reagimet e studiuesve këtu në Uashington ishin pothuajse të gjitha në të njëjtën linjë, se vrasja e sotme e fut Serbinë në një udhëkryq të ri dhe se kjo situatë do të ketë një ndikim të caktuar edhe për Kosovën.

Studiuesi i çështjeve të Ballkanit, James Hooper, tha në një intervistë se zoti Xhinxhiç ishte vërtet i angazhuar për reformën dhe në përpjekjet për të sjellë demokracinë në Serbi, për të kapërcyer të kaluarën e saj. Zoti Hooper nuk mendon se zoti Xhinxhiç ishte nacionalist, përkundrazi ai përpiqej ta kapërcente epokën e nacionalizmit në Serbi. Me këtë vrasje, Serbia po hyn ndoshta në një epokë të re errësire, thotë zoti Hooper.

Populli serb asnjëherë nuk e ka dënuar plotësisht nacionalizmin ekstrem të kohës së Millosheviçit. Pët fat të mirë, zoti Millosheviç ndodhet në Hagë, po ashtu edhe zoti Sheshel, pra ata nuk do të jenë faktorë politikë dhe nuk do të kërkojnë dot poste politike dhe zoti Xhinxhiç ka meritë për këtë. Por sistemi i krimit dhe i nacionalizmit të skajshëm do të jenë tani një sfidë për popullin serb. Pra mbetet për të parë nëse forcat demokratike do të bashkohen dhe do të zgjedhin udhëheqës të rinj për ta zëvendësuar, thotë eksperti i Ballkanit.

Zoti Xhinxhiç ishte një udhëheqë politik shumë i efektshëm dhe i aftë për të organizuar. Prandaj me vdekjen e tij kam frikë se do të shohim kthimin në një epokë të errët për Serbinë dhe për popullin serb, thotë zoti Hooper. Mendoj se është e nevojshme që opozita serbe të bashkohet pa vonesë.

Vdekja e zotit Xhinxhiç nuk do ta ndërlikonte situatën vetëm në kuptimin e politikës së brendëshme por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Federatës tani do t’i duhet të zgjedhë një president dhe një kryeministër. Prandaj, forcat demokratike kanë tani përpara një sfidë serioze.

Ndërsa duke iu përgjigjur pyetjes se ç’ndikim do të ketë kjo vrasje për Kosovën, zoti James Hooper tha se në spektrin e politikanëve serbë, qendrimi tij jonacionalist në politikën serbe ishte maksimumi që mund të përfitonin shqiptarët e Kosovës nga lëvizja për demokraci e Serbisë. Kur ai hodhi propozimin që të fillonte procesi i statusit të ardhëm të Kosovës, megjithëse synimi i tij ishte ndarja, ai u përpoq të mbante qendrimin më pak nacionalist që të ishte e mundur në krahasim me politikanët e tjerë.

Sipas zotit Hooper, tani, pas vdekjes së zotit Xhinxhiç, shqiptarët e Kosovës duhet të përqendrohen menjëherë te çështja e statusit të ardhshëm, ata nuk duhet të lejojnë që ky proces të zvarritet. Kjo është urgjente, sepse kam frikë se Serbia do të hyjë përsëri në një periudhë të re errësire. Kosova nuk duhet të bëhet pjesë e kësaj errësire ajo duhet të qendrojë jashtë saj.

Për këtë arësye, politikanët e Kosovës duhet të veprojnë me shumë shpejtësi në komnunitetin ndërkombëtar për të garantuar se kjo do të bëhet me mënyrën e duhur, shpjegon studiuesi i çështjeve ballkanike, James Hooper.

Ndërsa nëndrejtorja ekzekutive e Institutit Amerikan të Paqes, Harriet Hentges tha në një intervistë se periudha që do të pasojë vrasjen do të jetë e mbushur me pasiguri të mëdha dhe jostabilitet.

Zoti Xhinxhiç ishte një udhëheqës që fliste me kurajo në dy aspekte ku ndaheshin grupet politike të Serbisë: në çështjen e reformës dhe në atë të dorëzimit të kriminelëve të luftës në Hagë. Kjo pasiguri do të krijojë një mungesë të madhe qendrueshmërie.

A do të ketë apo jo ndonjë person tjetër në partinë e tij që do të pasojë zotin Xhinxhiç - ky do të jetë një tregues për popullin serb se sa larg janë ata nga demokratizimi dhe nga reforma. Kjo pasiguri që mund të krijohet tani, do të bëjë që shumë njerëz ti largohen reformës dhe ta përqendrojnë vemendjen në çështje të tjera. Prandaj le të shpresojmë se në një situatë të tillë do të dalin njerëz të tjerë që do të ngrihen në lartësinë e kërkesave të kohës dhe që nuk do të lejojnë që plumbi i vrasësit ta fusë Serbinë në një rrugë e cila do ta dëmtonte akoma më shumë nivelin e jetesës në Serbi. Pra kemi të bëjmë me një pikë tepër kritike në historinë e Serbisë.

Ndërsa lidhur me Kosovën, zonja Hintges, nëndrejtore ekzekutive e Institutit Amerikan të Paqes, shpjegon se është e vështirë të thuhet se çfarë udhëheqësish do të dalin tani në skenë në Serbi, por një periudhë pasigurie nuk mund të jetë e mirë për Kosovën, sepse çështja e statusit duhet diskutuar, dhe zoti Xhinxhiç ishte shprehur për këtë.

Tani për tani nuk ka të ngjarë që udhëheqës të tjerë në Serbi të angazhohen për ta vazhduar një punë të tillë për shkak të problemeve të tjera, tha zonja Hintges.

Janusz Bugajski, i Institutit për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare tha se kjo eshte nje krize e madhe politike per Serbine e cila tani jo vetem qe eshte pa president, por edhe pa kryeminister.

Në Serbi pritet të zhvillohet nje beteje e ashper politike gjatë javëve të ardhshme. Kjo vrasje mund te vere ne rrezik disa prej reformave qe kishin filluar por po ashtu edhe planet për reforma në të ardhme.

Pyetja qe shtrohet tani eshte kush e beri, a do te dalin pergjegjësit para drejtesise, a eshte kjo vrasje shenja e pare e betejave te ardhshme politike. Me siguri kjo vrasje do te coje ne renien e qeverise dhe ne zgjeddje te parakohshme.

Duke folur për ndikimin që do të ketë kjo vrasje në një dialog të mundshëm të Beogradit me Kosovën, zoti Bugajski tha se nuk mendon se do te kete ndonje dialog. Ai tha se nuk sheh ndonje politikan serb te dalë si figura kryesore per bisedime dhe Prishtina nga ana tjeter nuk është e interesuar per dialog tani.

Derisa gjendja ne Serbi te sqarohet dhe aty te kete nje qeveri pro-perendimore nuk besoj se do të kete njeri te merret me Kosoven. Kosova duhet te ece vete ne rrugen e saj, tha zoti Bugajski.

XS
SM
MD
LG