Policia shqiptare me ndihmën e një motovedete italiane dhe një helikopteri të misionit të Natos në Shqipëri, arriti të shpëtojë sot pasdite një gomone me 24 emigrantë klandestinë e cila rrezikohej të mbytej në det për shkak të një difekti në motorra. Mjeti lundrues që ishte nisur drejt Italisë, kishte mbetur i bllokuar në afërsi të derdhjes së lumit Seman në zonën e Fierit. Po sot u kapën në zonën e Vlorës dy gomone të tjera, ndërsa një e tretë u dogj nga vetë trafikantët që ndiqeshin nga policia.
Megjithëse po mbushen tashmë 9 muaj që e gjithë vija bregdetare e Shqipërisë po ruhet nga forca dhe njësi speciale të policisë, sërish trafikantët nuk kanë hequr dorë nga aktiviteti i tyre. Sot pasdite një gomone e cila kishte në bord 24 emigrantë klandestinë është nisur nga grykëderdhja e lumit Seman në zonën e Fierit. Moti i keq dhe kushtet e një deti të trazuar kanë vënë në rrezik jetën e personave që udhëtonin me të.
Trafikantët kanë lëshuar sinjalin e ndihmës dhe pas saj policia ka arritur të lokalizojë vendndodhjen e mjetit lundrues. Disa motoskafë të policisë janë nisur menjëherë drejt gomones të ndihmuar edhe nga mjete të Rojeve të Financës italiane si dhe nga një helkikoptër i misionit të Natos Në Shqipëri. Pas shumë përpjekjesh rreth orës 18.45 policia ka njoftuar se ka bërë të mundur të shpëtojë nga rreziku emigrantët klandestinë. Të gjithë kanë hipur në motoskafin e Rojeve të Financës italiane e cila i zbarkoi ata në Vlorë.
Po sot policia shqiptare ka mundur të bllokojë edhe disa gomone të tjera. Në orët e parë të mëngjesit forcate Delta Forces, njësisë së specializuar të ngritur prej muajsh për të luftuara trafikun e emigrantëve klandestinë, është vënë në ndjekje të dy mjeteve lundruese. Trafikantët u detyruan të djegin një skaf të gjatë 12 metra dhe me dy motorrë të fuqishëm, dhe tentuan t’i shpëtonin ndjekjes me një tjetër gomone e cila u bllokua rreth orës 8.30. Policia arriti të arrestojë vetëm një nga trafikantët.
Dy orë më pas, forcat e komisariatit të Vlorës, kanë gjetur një gomone të tretë, të braktisur pranë grykëderdhjes së lumit Vjosë, në kufirin me Fierin.
Që prej muajit gusht të vitit të kaluar, si pasojë e një operacioni të gjerë të ndërmarrë nga qeveria shqiptare, në Itali nuk është regjistruar asnjë zbarkim i emigrantëve klandestinë të nisur nga brigjet e Shqipërisë. Mbi 20 motoskafe dhe gomone janë sekuestruar, e po ashtu edhe disa oficina që sherbenin për riparimin e mjeteve lundruese të trafikantëve.
Por pavarësisht këtyre përpjekjeve Drejtësia shqiptare nuk ka ndëshkuar asnjë prej personave të arrestuar. Rasti më i fundit është ai i diteve të fundit kur Gjykata e Vlorës liroi disa persona të akuzuar për trafik klandestinësh.
//rd//