Lidhje

Presidenti Bush i gatshëm për luftë, pavarësisht nga vendimi i OKB-së - 2003-03-14


Presidenti Bush, duke përgatitur popullin amerikan për luftë thotë se ka pak arsye të shpresohet që udhëheqësi irakian Saddam Hussein do të çarmatoset për të shmangur konfliktin.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti Bush tha se disa rreziqe janë aq të mëdha dhe pasojat e tyre do të ishin aq të tmerrshme, saqë ato duhet të eliminohen, edhe nëse duhet të përdoret forca ushtarake.

Ndërkohë, Sekretari i Jashtëm Britanik, Jack Straw thotë se lufta me Irakun është tani shumë më e mundshme. Presidenti Bush dhe Kryeministrat e Britanisë dhe Spanjës do të mbajnë nesër një takim njëditor të nivelit të lartë në Azore.

Ata do të diskutojnë mbi përpjekjet e fundit diplomatike për të marrë miratimin për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilën parashikohet vendosja e një afati brenda të cilit Iraku të çarmatoset, ose përndryshe të përballet me veprimet ushtarake.

Rezoluta po kundërshtohet me forcë dhe me mundësinë e vënies së vetos nga ana e Francës dhe Rusisë, Presidenti Bush thotë se ai është i gatshëm të sulmojë Irakun, pavarësisht nga vendimi i Kombeve të Bashkuara.

Përballë mundësisë së vogël për miratimin e rezolutës së propozuar prej tyre, pyetja që shtrohet para udhëheqësve në Azore është nëse do të vazhdojnë me procedurat në Këshillin e Sigurimit për një votim simbolik, apo të fillojnë luftën pa një të tillë.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio Presidenti Bush tha se vendet e ndryshme i presin “ditë vendimtare” përpara, që të tregojnë nëse do të veprojnë për të imponuar zbatimin e rezolutave të Kombeve të Bashkuara, ku kërkohet çarmatimi i Irakut.

Presidenti Bush tha se përsa i takon atij nuk ka dyshim se koalicioni i drejtuar prej tij do ta heqë nga pushteti udhëheqësin irakian, Saddam Hussein për të mos e lejuar që të ndihmojë terroristët të përdorin armë të shkatërrimit në masë.

Ai thotë se Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Spanja duan që Këshilli i Sigurimit t’i bëjë ballë Irakut, sepse e kanë parë sesi mosveprimi i Kombeve të Bashkuara ka shkaktuar tragjedi në Bosnje, Ruandë dhe Kosovë.

“Dhe ne duhet ta pranojmë se disa kërcënime janë kaq mëdha dhe pasojat që ato mund të shkaktojnë aq të tmerrshme, saqë ato duhet të eliminohen, edhe nëse për këtë duhet të përdoret forca ushtarake”, tha presidenti Bush.

Forcat amerikane përdorën një bombëhedhëse me rreze të largët veprimi për të goditur dje dy vende ku ishin vendosur radarë në Irakun perëndimor, ndërsa vazhdon grumbullimi i forcave në rajon. //kk//

XS
SM
MD
LG