Lidhje

Bush: E hëna “momenti i së vërtetës” për Irakun - 2003-03-16


Presidenti Bush dhe aleatët e tij më të ngushtë ranë dakord për një përpjekje të fundit diplomatike për fituar mbështetjen e botës për një çarmatim të shpejtë të Irakut. Ndërkohë, udhëheqësi i Irakut Saddam Hussein zotohet “të luftojë kudo në botë”, nëse Shtetet e Bashkuara udhëheqin një ndërhyrje ushtarake.

Presidenti e quajti të hënën “momentin e së vërtetës” për Irakun. “Ne do të zhvillojmë biseda telefonike, do të flasim me partnerët tanë dhe me ata që ndoshta nuk e kuptojnë mirë se cili është objektivi. Dhe do të shohim se çfarë do të bëhet nesër”, tha presidenti duke iu referuar së hënës.

Ai sfidoi të dielën vende të tjera që të mbështesin përpjekjet amerikane, britanike dhe spanjolle. “Shumë vende kanë shprehur angazhimin për paqe dhe siguri dhe tani ata duhet ta tregojnë këtë angazhim në të vetmen mënyrë efektive, duke përkrahur çarmatimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Saddam Husseinit”, tha presidenti.

Ai foli në Azore, pas një takimi të nivelit të lartë të organizuar me ngut me Kryeministrin britanik Tony Blair, atë spanjoll Jose Maria Aznar dhe Jose Durao Barroso, kryeministri i Portugalisë, vendi ku u mbajt takimi.

Përpjekjet e koalicionit të udhëhehequra nga Shtetet e Bashkuara për të siguruar mbështetjen e OKB-së për përdorimin e forcës ushtarake kundër Irakut pësuan një goditje javën e kaluar nga kundërshtimi i drejtuar nga Franca. Diplomatët e Kombeve të Bashkuara thonë se çështja ka hyrë në një udhë pa krye, por se në Këshillin e Sigurimit po bëhen përjekjet e fundit për të arritur një farë konsensusi.

Inspektori i Kombeve të Bashkuara për armët, Hans Blix parashikohet të paraqesë një raport këtë javë, ku do të renditen detyrimet që i mbeten Irakut për të potësuar dhe sa kohë nevojitet për t’i plotësuar ato.

Kryeministri britanik, Tony Blair nuk tha në Azore nëse do të tërhiqej ose jo rezoulta e propozuar për autorizimin e forcës kundër Irakut. Por ai tha se nuk ka nevojë për ta diskutuar më tej këtë çështje, duke shtuar se rezoluta 14-41, ishte mundësia e fundit e Saddam Husseinit për t’u çarmatosur.

“E vërteta është se pa një ultimatum të besueshëm që të autorizojë forcën nëse nuk plotësohen kërkesat, diskutimet e mëtejshme janë vetëm vonesa”, tha kryeministri Blair.

Në Bagdad, Saddam Husseini i quajti akuzat se Iraku ka armë të shkatërrimit në masë, “një gënjeshtër të madhe” dhe u zotua se “do të luftojë kudo në botë”, nëse Shtetet e Bashkuara udhëheqin një pushtim të Irakut.

Në Washington, Sekretari i Shtetit, Colin Powell, tha në një emision televiziv se udhëheqësi i Irakut mund ta shmangë luftën, nëse bashkë me të bijtë dhe disa udhëheqës kryesorë lënë vendin dhe një udhëheqje më e përgjegjshme merr pushtetin.

Por sekretari Powell la të kuptohej se nuk ishte optimist se Saddam Husseini do ta linte Irakun vullnetarisht.//kk//

XS
SM
MD
LG