Lidhje

Kofi Anan jep urdhër për largimin e inspektorëve nga Iraku - 2003-03-17


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, dha urdhër që inspektorët e armëve dhe gjithë punonjësit e tjerë të OKB-së të largohen nga Iraku.

Zoti Annan e dha këtë urdhër ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kërcënojnë të ndërmarrin veprime ushtarake kundër Irakut nëse udhëheqësi irakian, Sadam Husein, nuk largohet nga pushteti si edhe nga vendi.

Zoti Anan e dha urdhërin nga selia e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Gazetarët në Irak thonë se inspektorët i kanë filluar përgatitjet për t’u larguar nga ai vend.

Kryeinspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët thanë se Shtetet e Bashkuara i kanë këshilluar që t’i tërheqin ekipet e tyre nga Iraku.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Agjencisë Atomike, Muhamed ElBaradei, dhe kryeinspektori i OKB-së për armët, Hans Bliks, thanë se kërkesa amerikane u bë pak orë pasi presidenti Bush u takua me udhëheqësit e Britanisë dhe të Spanjës dhe tha se dita e sotme ishte një moment vendimtar për Këshillin e Sigurimit lidhur me çështjen e Irakut.

Një numër vendesh, përfshirë Rusinë, Gjermaninë, Kinën, Pakistanin, Indonezinë dhe Bangladeshin kanë mbyllur ambasadat e tyre në Bagdad dhe kanë këshilluar shtetasit e tyre të largohen menjëherë nga Iraku.

Lajmet nga Iraku bëjnë të ditur se civilët kanë filluar të mërgojnë nga qytetet veriore në drejtim të zonave kurse në pjesën veriore të vendit që mbrohet nga patrullat ajrore amerikane dhe britanike.

Edhe vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara u larguan sot nga zona e çmilitarizuar përgjatë kufirit midis Irakut e Kuvajtit, zhvillim ky që shihet edhe si shenjë tjetër që lufta mund të shpërthejë së shpejti.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania po tërheqin anëtarë jo të domosdoshëm të personelit të tyre diplomatik nga Kuvajti e Izraeli dhe po këshillojnë shtetasit e tyre që të mos udhëtojnë në rajon.

Rreth 250 mijë trupa amerikane janë dislokuar në Lindjen e Mesme së bashku me rreth 40 mijë ushtarë britanikë dhe trupa nga vende të tjera, përfshirë Australinë.

//rd//

XS
SM
MD
LG