Lidhje

Zbulimi amerikan: Në vidiokasetë ishte vërtet Sadam Huseini - 2003-03-21


Shtëpia e Bardhë thotë se zyrtarët e zbulimit amerikan konfirmuan se personi që doli në televizion pas fillimit të luftimeve, ishte vërtet udhëheqësi i Irakut, Saddam Hussein.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer tha se CIA ka arritur në përfundimin se personi që u shfaq në televizionin irakian pas fillimit të bombardimit në Bagdad në orët e para të së enjtes, ishte Saddam Husseini.

Thuhet se udhëheqësi i Irakut ka përdorur persona të tjerë si kopje të tij në të kaluarën, duke ngjallur spekullime që ai mund të ishte plagosur në atë sulm dhe që njeriu që u shfaq në televizion mund të ishte dikush tjetër.

Zoti Fleischer tha se ekspertët e zbulimit e kanë konfirmuar vërtetësinë e kasetës, por shton se ata nuk kanë arritur në ndonjë përfundim nëse ajo ishte regjistruar para apo pas fillimit të luftimeve.

Presidenti Bush u takua sot me udhëheqës të Kongresit për t’i njoftuar ata mbi luftën dhe për t’i falenderuar për një rezolutë në mbështetje të trupave amerikane. “Ne po bëjmë përparim. Ne do ta vazhdojmë misionin derisa të kemi realizuar objektivin tonë për asgjësimin e armëve irakiane të shkatërrimit në masë dhe për çlirimin e popullit të Irakut, në mënyrë që ai të jetojë në një shoqëri shpresëdhënëse, demokratike dhe në paqe me fqinjët”, tha Presidenti Bush.

Zoti Fleischer tha se presidenti u dërgoi ngushëllime të gjitha familjeve të ushtarëve të koalicionit që u vranë gjatë operacionit. Një marins amerikan që u vra sot në Irakun Jugor, duke u bërë viktima e parë në luftime. Një helikopter amerikan i marinsave ra në Kuvajtin Verior duke shkaktuar vdekjen e tetë britanikëve dhe katër ushtarëve amerikanë. “Të gjithë ne këtu në Washington jemi jashtëzakonisht krenarë për zotësinë dhe trimërinë e amerikanëve tanë të rinj që janë të gatshëm të sakrifikojnë për diçka më të madhe se vetja e tyre”, tha Presidenti Bush. Zoti Fleischer tha se vdekjet të kujtojnë se ky mund të jetë një angazhim i gjatë dhe i rrezikshëm për trupat e koalicionit.

Presidenti Bush do ta kalojë fundjavën në rezidencën presidenciale në Camp David ku do të mbledhë nesër këshillin e tij të luftës për të diskutuar mbi fazën e ardhshme të luftimeve.

//rd//

XS
SM
MD
LG