Lidhje

Institucionet e Kosovës dënojnë sulmet në dy stacionet policore të Prishtinës - 2003-03-22


Institucionet e Kosovës i kanë dënuar ashpër sulmet e mbrëmëshme ndaj dy stacioneve të policisë në Prishtinë. Ata i cilësuan ato si sulme të drejtuara kundër paqes dhe sigurisë në Kosovë.

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dënuar sot sulmet e mbrëmshme ndaj stacioneve të Policisë në Prishtinë. Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij për Informim Presidenti, Rugova ato i ka cilësuar akte terrorizmi kundër sigurisë dhe rendit publik në Kosovë dhe ka kërkuar nga institucionet që janë përgjegjëse për siguri në Kosovë të merren masa të ashpra ndaj autorëve të veprave të tilla si dhe të ndërmirren masa parandaluese për sigurinë e përgjithshme. "Presim nga qytetarët që të tregojnë syqeltësi më të madhe për sigurinë e vet dhe institucioneve të vendit" thuhet në fund të komunikatës së Presidentit Rugova.

Edhe Qeveria e Kosovës poashtu nëpëmjet të një komunikate ka dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj stacioneve të policisë në Prishtinë, duke e vlerësuar akt vandal i drejtuar kundër përpjekjeve dhe angazhimeve të institucioneve demokratike të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare në krijimin e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë.

"Ndonëse ende nuk dihen autorët e këtyre akteve, kushdoqofshin ata nuk do të mund të pengojnë proceset e filluara pozitive në ndërtimin dhe forcimin e institucioneve demokratike të Kosovës" thuhet në komunikatën e qeverisë për të shtuar se angazhimet e policisë ndërkombëtare dhe asaj vendore kundër krimit dhe akteve të tjera të dhunës do të gëzojnë përkrahjen e pakursuyer të qeverisë dhe qytetarëve. Prandaj u bëhet thirrje këtyre të fundit që të mbështesin dhe ndihmojnë organet e rendit për t’i zënë autorët e këtyre akteve dhe për t’i vënë sa më parë para drejtësisë.

Zyrtarët e UNMIK-ut ende nuk kanë bërë ndonjë koment, ndërsa policia as sot nuk ka dhënë hollësi rreth këtyre shpërthimeve e as autorëve apo motiveve të mundshme. Ata thanë se kanë shtuar masat e sigurisë sikurse edhe forcat paqëruajtëse dhe po zhvillojnë hetime intensive për ndriçimin e këtyre sulmeve.

//rd//

XS
SM
MD
LG