Lidhje

Marrëdhëniet midis ushtrisë dhe shtypit - 2003-03-24


Shumë operacione dhe misione të suksesshme ushtarake vitet e fundit kanë mbetur të panjohura për publikun, për shkak të kufizimeve që i janë vënë medias për të pasqyruar veprimtarinë e trupave amerikane. Kjo është një nga arsyet, por jo e vetmja, që i shtyu kohët e fundit zyrtarët ushtarakë amerikanë që t’ua hapin dyert medias. Në materialin e mëposhtëm u hidhet një vështrim marrëdhënieve mes ushtrisë dhe shtypit dhe mënyrës se si gazetarët po i pasqyrojnë aktualisht të rejat nga Gjiri

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gazetarët amerikanë njoftonin nga vijat e frontit. Stili i afërt dhe personal i fotoreporterëve dhe gazetarëve si Ernie Pyle është vlerësuar pozitivisht.

Por 20 vjet më pas në Vietnam, reagimi negativ i publikut ndaj njoftimeve nga fusha e betejës i acaroi marrëdhëniet mes ushtrisë dhe medias.

Si pasojë, u pakësuan mundësitë që gazetarët të kontaktonin trupat, deri edhe gjatë Luftës së Gjirit në vitin 1991 dhe fushatës antiterror në Afganistan.

Korrespondenti për çështje ushtarake, Dave Moniz, i gazetës “USA Today” thotë: “Ne nuk mund të flisnim me ta, nuk mund t’i fotografonim, nuk mund t’iu afroheshim automjeteve të tyre dhe as vendit ku ata jetonin. Dhe kjo ishte një nga rregullat, nëse doje të pasqyroje veprimtarinë e pjesës tjetër të ushtrisë”, thotë zoti Moniz.

Tani ka një ndryshim të jashtëzakonshëm. Zyrtarët e Pentagonit po lejojnë 600 gazetarë të shoqërojnë njësitë e luftimit, ndërkohë që rreth 250 mijë trupa amerikane janë të grumbulluara në Gji. “Pentagoni e ka bërë këtë të paktën pjesërisht nga frika se mos Saddam Husseini kontrollon lajmet” thotë zoti Moniz.

Zëvendës Ndihmëssekretari i Shtetit, Brian Whitman punon në Qendrën e Medias në Pentagon. “Ne e dimë që Saddam Husseini është gënjeshtar. Sjellja e tij në të kaluarën tregon se nuk ka ndonjë arsye të mendohet se në të ardhmen ai do të sillet ndryshe. Kështu që mendoj se është në të mirën tonë që të kemi në fushën e betejës gazetarët që mund ti ndjekin ngjarjet që ndodhin dhe të njoftojnë për to në mënyrë objektive”, thotë ai.

Gazetarët që kanë shkuar mes ushtarëve vijnë nga gazetat, televizionet dhe nga shtypi ndërkombëtar. “Al Xhazirës i është dhënë mundësia që të shkojë mes forcave tona, po ashtu edhe Al-Hyattiit dhe organeve të tjera të shtypit me emër. Organet afrikane të shtypit janë më të pakta, ndoshta sepse kishte më pak kërkesa prej tyre, por të gjitha shërbimet kryesore të lajmeve kanë mjaft gazetarë”, thotë zoti Whitman.

Para se të niseshin për në Gji, gazetarët u stërvitën në baza ushtarake amerikane. “Ata na morën me vete në patrullime të ushtrisë, duke përdorur prita të sajuara dhe na mësuan si të mbrohemi dhe të fshihemi nëse gjendemi në ndonjë situatë të tmerrshme dhe na duhet të mendojmë se si të shpëtojmë jetën”, thotë zoti Moniz.

Deri tani edhe ushtria, edhe media thonë se bashkëpunimi po funksionon. Por disa shtrojnë pyetjen se deri ku shkon bashkëpunimi. Në një epokë të tillë teknologjie satelitësh, Pentagoni thotë se janë të nevojshme disa rregulla bazë për të mbrojtur operacionet ushtarake. “Do të ketë raste kur gazetarët nuk do të lejohen të transmetojnë materiale shtypi, për arsye taktike dhe raste të tjera që nuk do të transmetojmë sepse nuk duam të lëshojmë sinjale nga një vendndodhje e veçantë”, thotë zoti Whitman.

Ai shton se shumica e gazetarëve e kuptojnë këtë. “Nuk kam takuar asnjë gazetar që të ketë dashur të komprometojë me vetëdije një operacion ushtarak, veçanërisht operacione të tilla ku ata mund të jenë vetë të pranishëm” Por mosbesues ka ende. Disa shqetësohen se mos duke ndenjur shumë pranë trupave, do të krijohen simpati që komprometojnë objektivitetin gazetaresk. Dave Moniz nuk beson se kjo do të ndodhë.

“Njerëz si Ernie Pyle kishin një simpati të madhe për ushtarët e thjeshtë, për vështirësitë e jetesës së tyre. Megjithatë unë mendoj se ai ishte në gjendje të komunikonte me të gjitha nuancat tmerrin, gëzimin dhe vuajtjet e luftës”, thotë zoti Moniz.

Por analisti gjithsesi shtron pyetjen nëse komandantët do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me median në vrullin dhe rrëmujën e betejës. “Mendoj se prova e vërtetë do të jetë kur të ndodhë ndonjë ngjarje negative, ose stresuese”.

Cilido qoftë reagimi, gazetarët e pajisur me mjete të teknologjisë së lartë duken të sigurt që të pasqyrojnë imazhe të menjëhershme dhe personale të luftës të papara ndonjëherë.

//rd//

XS
SM
MD
LG