Lidhje

Gjen. Frenks: Trupat kanë përparuar me shpejtësi - 2003-03-24


Komandanti i forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Irak tha se trupat e tij po bëjnë përparim të shpejtë megjithë atë që ai e quajti qendresë sporadike nga ana e ushtarëve dhe e milicisë irakiane. Ndërkohë, presidenti Saddam Hussein u pa sot në televizionin irakian ku ai parashikoi fitore ndaj trupave të koalicionit.

Komandanti i forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Gjirin Persik, gjenerali Tommy Franks, tha se fushata për rrëzimin e Saddam Husseinit nga pushteti vazhdon të ecë përpara, megjithë rezistencën që po hasin trupat si në Irakun qendror edhe në atë jugor.

“Përparimi drejt objektivave tona ka qenë i shpejtë dhe në disa raste dramatik. Forcat tona kanë hasur në qendresë sporadike në një numër zonash të fushës së betejës, tha gjenerali Franks”.

Gjenerali tha se rezistenca vjen nga disa lloje njësish irakiane që thuhet se mund të jenë trupa jo të rregullta, trupa elitë të Gardës Republikane, apo të organizatës paraushtarake të Partisë Baath ose Fedainjtë e Saddamit, siç quhen ndryshe.

“Në fakt unë nuk shikoj ndonjë të papritur këtu. Edhe ushtarët tanë në terren nuk kanë parë ndonjë të papritur. Në ushtrinë irakiane ka njerëz, si Garda speciale Republikane, ose Fedainjtë, që janë mjaft besnike të regjimit”.

Sot, avionët amerikanë vazhduan të bombardojnë Bagdadin si dhe objektiva ushtarake në Irakun verior. Gjenerali Franks konfirmoi se një helikopter amerikan Apaçe figuron i zhdukur së bashku me ekuipazhin e tij prej dy vetësh. Televizioni irakian shfaqi pamje të atij që ai e quajti helikopter amerikan, i cili dukej i padëmtuar në jug të Bagdadit.

Po sot, televizioni irakian transmetoi imazhe të Saddam Husseinit. Udhëheqësi irakian u pa duke lexuar një deklaratë të përgatitur qysh më parë, ku ai parashikonte fitore kundër trupave amerikane. Në deklaratë ai përmendi edhe luftimet e fundit në Basra dhe në Umm Qasr.

Zyrtarët britanikë shprehën menjëherë dyshime për faktin nëse transmetimi ishte i drejtpërdrejtë apo i regjistruar. Ministri britanik i mbrojtjes, Geoff Hoon tha:

“Ne dimë mirë se kohët e fundit ai ka harxhuar orë të tëra duke regjistruar mesazhe të ndryshme. Prandaj mendoj se duhet të bëjmë analiza të tjera për të përcaktuar se çfarë është thënë dhe për të parë nëse ai vërtet është Saddam Husseini, tha sekretari britanik i mbrojtjes”.

Sot gjenerali Franks u tha gazetarëve se forcat e koalicionit kanë kapur rreth 3 mijë robër irakianë të luftës. Por ai nuk ishte në gjendje të jepte informacione të reja për amerikanët që dje u kapën rob nga irakianët.

Gjenerali Franks tha se shpreson që operacionet për pastrimin e minave, të cilat kanë filluar, të lejojnë arritjen e ngarkesave me ndihma humanitare gjatë disa ditëve të ardhëshme.

XS
SM
MD
LG