Lidhje

Forcat e koalicionit vazhdojnë përparimin drejt Bagdadit - 2003-03-25


Në Bagdad janë dëgjuar shpërthime të tjera, ndërsa zyrtarët ushtarakë amerikanë njoftojnë për luftime të ashpra me forcat irakiane përreth Naxhafit në Jug.

Shpërthimet e fundit në kryeqytetin e Irakut u dëgjuan pak pasi ra nata. Avionët e koalicionit bombarduan disa objekte në Bagdad gjatë ditës, mes të cilave televizionin satelitor irakian, transmetimet e të cilit u ndërprenë për pak kohë.

Komanda Qendrore Amerikane tha se nuk mund të konfirmojë një njoftim irakian, sipas së cilit dy raketa amerikane goditën një zonë të banuar të Bagdadit, duke vrarë të paktën 14 vetë. Ushtria amerikane ka theksuar vazhdimisht se po përpiqet të shmangë viktimat civile gjatë ndërhyrjes së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për përmbysjen e qeverisë së Saddam Husseinit.

Luftimet e sotme pranë qytetit Naxhaf duken të përqëndruara në një urë mbi lumin Eufrat. Zyrtarët amerikanë thonë se forcat irakiane sulmuan elementë të regjimentit të shtatë të ushtrisë amerikane me granata-hedhës, ndërsa regjimenti po kalonte urën.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se nga sulmi u shkatërruan një numër tankesh amerikane dhe autoblindash. Por ata thonë se nga luftimet në urë dhe në vende të tjera përreth Naxhafit, gjatë 36 orëve të fundit u vranë të paktën disa qindra ushtarë irakianë.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se forcat e koalicionit do të përpiqen të shtypin qëndresën e milicisë irakiane para se të fillojnë sulmin nga toka ndaj Bagdadit.

Milicia irakiane ku bën pjesë edhe forca Fedayeen, nga më besniket të Saddam Husseinit kanë sulmuar prapavijën dhe linjat e furnizimit të forcave të koalicionit.

Ndërkohë ushtarakët amerikanë thonë se nje autokolonë me trupa të Gardës Republikane mund të jetë duke lëvizur drejt jugut.

Trupa të tjera amerikane drejt Gjirit Persik

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë divizionin e 4 të mekanizuar rëndë dhe njësi të tjera me mbi 30 mijë trupa në Gjirin Persik për të marrë pjesë në luftën në Irak.

Zyrtarët thonë se 16 mijë trupa të divizionit të 4 nga bazat e tyre në Teksas dhe Kolorado do të nisen për në rajon së shpejti. Mjetet e tyre të motorizuara, tanket dhe armatimet ndodhen tashmë në anije dhe po i afrohen Kuvajtit.

Një zëdhënës i divizionit nuk pranoi të konfirmojë njoftimet se trupat do të nisen që të enjte. Së bashku me divizionin do të nisen edhe njësitë mbështetëse me rreth 14 mijë trupa.

Fillimisht ky divizon ishte planifikuar të dislokohej në Turqi për të hapur një front të dytë në veri të Irakut. Por Turqia nuk dha leje për to. Divizioni i 4 i këmbësorisë është cilësuar si një nga njësitë më moderne të ushtrisë amerikane.

//rd//

XS
SM
MD
LG