Lidhje

Presidenti Bush i kërkoi Kongresit buxhet shtesë për luftën në Irak - 2003-03-25


Presidenti Bush i kërkoi të martën Kongresit një buxhet shtesë për luftën në Irak prej 74 miliardë e 700 milionë dollarë. Presidenti e bëri njoftimin gjatë një fjalimi të shkurtër në Pentagon. Presidenti e hapi fjalimin duke thënë se është i kënaqur me përparimin e forcave të koalicionit në luftime.

“Koalicioni po bën përparim të vazhdueshëm dhe ka shënuar përparim të mirë. Ne po luftojmë ndaj një armiku që nuk njeh ligje lufte, që përdor uniforma civile për ushtarët, që po lufton për të mbajtur në këmbë regjimin e terrorit të Sadam Huseinit. Ne nuk mund ta dimë kohëzgjatjen e luftës por dimë përfundimin e saj, regjimi irakian do të çarmatoset, ai do të marrë fund, populli irakian do të jetojë i lirë dhe bota do të jetë më e sigurtë dhe në paqe” tha presidenti.

Presidenti Bush falenderoi forcat amerikane që po marrin pjesë në luftime. Amerika, tha ai, u është mirënjohëse gjithë atyre që po sakrifikojnë për kauzën tonë. Regjimi irakian tha presidenti Bush është i armatosur me armë që mund të vrasin mijëra vetë. Vec luftës në Irak, tha presidenti Bush, forcat amerikane janë të angazhuara edhe në luftime të tjera në kuadër të fushatës globale kundër terrorizmit. Ndër to ai permendi operacionet e fundit në Afganistan. Po ashtu tha presidenti, forcat amerikane janë të dislokuara edhe në pjesë të tjera të botës për të ruajtur paqen.

“Amerika e ka pranuar këtë përgjegjësi dhe do të përballojë koston e misionit që u ngarkon forcave të armatosura. Sot po i kërkoj Kongresit një buxhet shtesë lufte prej 74 miliardë e 700 milionë dollarë, për të përballuar nevojat e luftës me Irakun dhe të fushatës globale kundër terrorizmit” tha presidenti.

Brenda këtij buxheti janë përfshirë edhe fonde për ndihma humanitare dhe për rindërtimin e Irakut pas luftës. Duke theksuar përsëri se kjo luftë drejtohet vetëm kundër regjimit të Sadam Huseinit, presidenti Bush tha se populli i Irakut do ta njohë shumë shpejt bujarinë e vendeve të koalicionit. Populli irakian që ka vuajtur, tha presidenti Bush, do të ketë shumë shpejt ushqime dhe ilaçe.

Presidenti Bush i kërkoi Kongresit që ta miratojë buxhetin shtesë menjëherë dhe me që operacionet ushtarake janë në zhvillim e sipër, ai i kërkoi Kongresit t'i japë atij të drejtë për t'i përdorur fondet sipas nevojave që do lindin nga lufta. Në të njëjtën kohë presidenti i bëri thirrje Kongresit qe te mos e ngarkoje këtë buxhet me shpenzime të tjera qe nuk lidhen me luftën. Çdo dollar tha presidenti Bush duhet të përdoret për luftën.

Buxheti i ri i presidentit parashikon mbi 2 miliardë dollarë për përpjekjet për ndihma dhe rindërtimin e Irakut dhe mbi 5 miliardë për të ndihmuar shtetet fqinje nga humbjet e luftes si dhe partnerët e koalicionit.

“Fushata jonë në Irak përfshin ndihma për partnerët e koalicionit dhe vendet mike në Lindjen e Mesme. Kërkesa për fonde shtesë që iu drejtua Kongresit do të ndihmojë prë të lehtësuar humbjet ekonomike të ketyre vendeve që po mbështesin përpjekjet tona.”

Një zyrtar i lartë amerikan tha se vendet që do të përfitojnë nga këto ndihma përfshijnë Pakistanin, Israelin, Jordaninë dhe Turqinë. Presidenti tha se nga ky buxhet do të financohen edhe përpjekjet e luftës kundër terrorizmit në Afganistan, Filipine dhe vende të tjera.

Presidenti kërkoi mbi 4 miliardë dollarë për Departamentin e Drejtësisë dhe Departamentin e ri për Sigurinë Kombëtare për të shtuar masat mbrojtëse në Shtetet e Bashkuara “gjatë kësaj kohe pasigurish”, siç u shpreh presidenti.

“Ne do të sigurojmë burimet e duhura për patrullimin dhe mbrojtjen e kufijve tanë, për të ndihmuar FBI-në të hetojë kërcënimet brenda vendit, për Rrojen Bregdetare për të siguruar portet këtu në Amerikë dhe në Lindjen e Mesme.”

Kërkesa e presidentit parashikon shpenzimet deri në fund të shtatorit kur përfundon edhe viti financiar i qeverisë dhe nuk parashikon fondet që do të duhen për vitin e ardhshëm financiar që fillon më 1 tetor. Kjo kërkesë u jep fund spekullimeve të shumta të javëve të fundit në Uashington mbi koston fillestare të luftës. Kongresi ka patur shqetësime këto kohë edhe për kërkesën tjetër të presidentit për të ulur taksat me 726 miliardë dollarë gjatë dhjetë vjetëve të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG