Lidhje

Mbërrijnë ndihmat e para humanitare në Irakun jugor - 2003-03-26


Autokolona e parë e rëndësishme me ndihma humanitare hyri në Irakun jugor, por forcat e koalicionit po bëjnë përpjekjet maksimale për t’u hapur rrugën ngarkesave të tjera me ndihma.

Një karvan ndihmash prej shtatë kamionësh me ushqime dhe ujë të sjellë nga Kuvajti, shoqëruar nga ushtarët amerikanë mbërriti sot në qytetin port Umm Kasër. Stuhitë e rërës dhe vështirësitë për të vënë nën kontroll Umm Kasrin po i ngadalësojnë përpjekjet për të çuar më shumë ndihmë.

Ministri irakian i informacionit, Mohammed Said al-Sahhaf mohon që trupat amerikane dhe britanike të kenë nën kontroll qytetin port. Shtëpia e Bardhë thotë se forcat e koalicionit po e pastrojnë portin nga minat dhe se anijet e ngarkuara me ndihma humanitare nuk mund të hyjnë në Umm Kasër derisa të përfundojë procesi i çminimit. Edhe disa delfinë janë dërguar për të ndihmuar në zbulimin e minave në ujra. Po ashtu ka patur luftime sporadike mes forcave të koalicionit dhe luftëtarëve irakianë përreth portit.

Kombet e Bashkuara thonë se irakianëve u kanë mbetur vetëm pesë javë rezerva ushqimesh, sepse lufta bëri që pezullohej programi humanitar për Irakun “naftë për ushqim”.

Ndërkohë, inxhinierët e Kryqit të Kuq po bëjnë përpjekjet makismale për të rregulluar sistemet e ujit në qytetin e dytë më të madh të Irakut, Basra ku energjia elektrike u ndërpre javën e kaluar.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të mbajë sot një takim të hapur për të diskutuar gjendjen humanitare në Irak. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan tha dje se Shtetet e Bashkuara janë ligjërisht përgjegjëse që t’u japin ndihma humaniatare civilëve irakianë.

Zyrtarë irakianë thonë se Iraku është një vend i pasur që nuk ka nevojë për ndihmë humanitare, por ata kanë dënuar OKB-në për ndërprerjen e programit naftë për ushqim.

//rd//

XS
SM
MD
LG