Lidhje

Lufta në Irak: Rreziku i shpërthimit të një konflikti të dytë - 2003-03-27


Lufta në Irak ka zgjuar frikën se në veri të vendit mund të shpërthejë një konflikt i dytë ndërmjet kurdëve të Irakut dhe Turqisë, e cila i trembet shtimit të autonomisë së popullsisë kurde. Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara synojnë të parandalojnë gjakderdhjen ndërmjet këtyre dy aleatëve të Amerikës, ndërkohë që hapin frontin në Irakun e veriut Kryeqyteti i kurdëve të Irakut, Arbil, u shndërrua javën e kaluar në prag të konfliktit, në një qytet fantazmë, ndërkohë që mijëra banorë të frikësuar mbyllën bizneset dhe u nisën për t’u fshehur mes maleve. Njësitë e mbrojtjes civile zhvilluan ushtrime stërvitore për raste emergjente. Rrugët në veri të Arbilit u mbushën me makina, autobuzë dhe kamionë plot me familje dhe me plaçkat që ata kishin me vete. Kurdët nuk i trembeshin bombave amerikane, por sulmeve irakiane.

Roskam Mohamed Karim vendosi ta largonte familjen nga qyteti: "Do të strehohemi në male, pasi i trembemi armëve kimike që mund të përdorin kundër nesh. Kam frikë se mund të vdesim, sidomos të vegjëlit" thotë zoti Karim.

Kurdët u larguan edhe nga qyteti Kirkuk, që kontrollohet nga Bagdati, dhe që konsiderohet nga kurdët si zemra e tokës së të parëve. Ata thanë se në prag të luftës ishte shtuar shtypja ndaj tyre. Disa tregonin se ushtarët irakianë kishin vënë mina në zonat naftë-mbajtëse në rajon.

Nën regjimin e Sadam Huseinit, kurdët e Irakut jetojnë të pasigurtë. 15 vjet më parë, në mars 1988, forcat e Sadamit hodhën gaz helmues mbi fshatin kurd të Halabjas, duke vrarë 5,000 burra, gra dhe fëmijë.

Sadam Huseni sulmoi përsëri kurdët në vitin 1991 për të shtypur një kryengritje. Pas saj, avionët amerikanë dhe britanikë filluan të ofronin mbrojtje në zonën e ndalim-fluturimit, duke u dhënë mundësi kurdëve të krijonin një rajon gjysëm autonom në tre provincat më veriore të Irakut.

Rreth 4 milion kurdë jetojnë tani në zonat malore, ku gjendet një ndër pjesët më historike të tokave të Kurdistanit, që shtrihet edhe në pjesë të Turqisë, Iranit, Sirisë dhe Armenisë. Populli kurd prej 20 milion vetësh, është grupi më i madh etnik në botë pa një shtet dhe aspiratat e tij për autonomi shihen si kërcënim nga Turqia.

Kurdët e Irakut thonë se mund të vazhdojnë të qeverisin rajonin e tyre brenda një shteti demokratik irakian. Por Turqia ka shprehur frikën se autonomia për kurdët e Irakut do të ringjallë lëvizjen separatiste kurde në Turqi, një fushatë 15 vjeçare që çoi në vdekjen e të paktën 30 mijë vetëve.

Trupat amerikane kanë filluar të mbërrijnë në aerodromët në veri, pjesërisht, siç thonë analistët, për të mos lejuar që ushtarët irakianë t’u vënë zjarrin zonave naftëmbajtëse të Kirkukut dhe Mosulit, dhe me sa duket për t’i prerë rrugën dërgimit të trupave nga Turqia në rajon.

Njësi të artilerisë turke i janë afruar kufirit me Irakun. Por Tuqia ka thënë ditët e fundit se nuk synon të ndërmarrë veprime ushtarake.

Nga ana e tyre, kurdët e Irakut kanë vazhduar të stërviten në bazat e tyre në Irakun verior. Ata thonë se do t’i përgjigjen çdo ndërhyrjeje nga Turqia, qoftë gjatë luftës, ose në Irakun pas Sadamit.

Zahir Hassan komandon një njësi milicie në Irakun verior: "Jemi plotësisht të përgatitur për çdo zhvillim dhe çdo sulm që mund të drejtohet kundër vendit tonë, Kurdistanit. Ne do të sakrifikojmë gjithçka, përfshirë edhe jetën, për të mbrojtur atdheun" thotë zoti Hassan

//rd//

XS
SM
MD
LG