Lidhje

Katër ushtarë amerikanë vriten në Irak nga shpërthimi i një makine bombë - 2003-03-29


Nga shpërthimi i një makine bombë në Irakun Qendror humbën jetën katër ushtarë amerikanë. Ky është sulmi i parë vetëvrasës gjatë luftës në Irak.

Zyrtarë të ushtrisë amerikane thanë se një person, që po ngiste një taksi aktivizoi të shtunën makinën bombë në një pikë kontrolli afër qytetit irakian Naxhaf, në jug të Bagdadit.

Në një konferencë shtypi në Pentagon, gjeneral-lajori amerikan Stanley McChrystal tha se koalicioni është ”tepër i shqetësuar” për sulme vetëvrasëse të mundshëm në të ardhmen. Ai shtoi se sulmet e sotme, sipas fjalëve të tij, ”duken si terroriste” por ato nuk do të ndikojnë në operacionet ushtarake.

Në Bagdad, zëvendës-presidenti irakian Taha Yassin Ramadan tha se sulmin vetëvrasës e kishte kryer një oficer i ri ushtrie dhe u kërcënua se sulme të ngjashme do të kryhen edhe në të ardhmen. Zoti Ramadan tha se Iraku do të përdorë çdo mjet dhe formë për të vrarë trupat e koalicionit. Ai shtoi se mijëra arabë po vijnë vullnetarisht në Irak, për të ndihmuar luftën.

Ndërkohë, avionët luftarakë të koalicionit e kanë bombarduar kryeqytetin irakian gjatë gjithë ditës. Një prej sulmeve të sotme kishte si objektiv Ministrinë irakiane të Informacionit.

Ndërkaq, zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se helikopterët Apachi kryen një sulm me armë zjarri ndaj njësive me tanke të Gardës Republikane, në jugperëndim të Bagdadit, duke shkatërruar të paktën 25 tanke dhe automjete të blinduara dhe duke vrarë të paktën 50 ushtarë irakianë.

Në Irakun Jugor, avionët amerikanë bombarduan një ndërtesë në afërsi të qytetit të Basrës, ku ishin mbledhur 200 luftëtarë të forcave paraushtarake.

Njoftohet se luftimet e ashpëra kanë vazhduar përreth qytetit Nassirija të Irakut Jugor, ku marinsat amerikanë dhe luftëtarët irakianë janë përleshur vazhdimisht gjatë javës së fundit. Ekipet amerikane të kriminalistikës ligjore po zhvillojnë hetime në varret në afërsi të qytetit, ku u gjetën trupat e disa ushtarëve amerikanë.//kk//

XS
SM
MD
LG