Lidhje

Kosovë: Kundërshtohen deklaratat e zyrtarëve serbë se “pavarësia e Kosovës do të çonte në konflikt të armatosur”… - 2003-03-30


Konflikti i armatosur në Kosovë ka marrë fund katër vjet më parë dhe tani është koha e zgjidhjeve politike të problemeve, thanë sot zyrtarët e qeverisë së Kosovës. Ata i bënë këto komente pas deklaratëve të fundit të Zëvendëskryeministrit serb Nebojsha Coviq, i cili ka theksuar që nëse Kosova bëhet e pavarur, atëherë mund të shpërthejë konflikti, meqë sipas tij, Serbia do të detyrohet të ndërhyje për të mbrojtur territorin dhe popullin e saj. Ai ka kritikuar ashpër me këtë rast edhe UNMIK-un, i cili sipas tij, po e çon Kosovën drejt pavarësisë dhe nuk po përmbush detyrimet në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Zyrtarët e misionit ndërkaq i hedhin poshtë kritikat e tilla. Zëdhënësi i këtij misioni Sunil Narula thotë se mandati i UNMIK-ut është i qartë. “Kosova aktualisht qeveriset në bazë të Rezolutës 1244 dhe kështu do të jetë derisa Këshilli i Sigurimit të vendosë ndryshe”, thotë ai.

Deklaratat e zëvendëskryeministrit serb, nga përfaqësuesit shqiptarë janë vlerësuar si vazhdimësi e politikës së Beogradit ndaj Kosovës.

Ramadan Avdiu, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, ka nënvizuar se koha e luftrave i takon së kaluarës. “Lufta në Kosovë ka përfunduar dhe ka përfunduar me humbjen e Serbisë. Kosova ecën ngadalë por sigurtë drejt ardhmërisë së saj që është pavarësia e Kosovës”, ka deklaruar zoti Avdiu.

Zyrtarët e institucioneve të Kosovës pohojnë se puna e tyre është përqëndruar në transferimin e përgjegjësive nga UNMIK-u tek këto institucione, ndërsa deklaratat e zyrtarëve serbë, sipas tyre, janë përpjekje për të penguar procesin politik dhe posaçërisht kalimin e këtyre përgjegjësive. Ky proces pritet të shënojë një fazë të re në fillim të muajit prill, ndërsa paralajmërimi i tij ka nxitur shumë reagime të përfaqësuesve politik serbë në Kosovë dhe atyre në Serbi.

Këshilli Kombëtar Serb ka paralajmëruar protesta kundër shefit të UNMIK-ut Mihail Shtainer, si dhe referendum për krijimin e një komune të veçantë në veriun e Mitrovicës. //ss//

XS
SM
MD
LG