Lidhje

Vihet në dyshim fati i udhëheqjes së Irakut - 2003-03-30


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donlad Ramsfelld tha sot gjatë një interviste për rrjetin televiziv Foks se ai është i mendimit se populli irakian ka filluar të ketë dyshime për udhëheqjen e vendit, të cilët, tha ai, praktikisht nuk ekzistojnë më.

“Ata e panë sulmin ndaj udhëheqjes së tyre dhe që atehere udhëheqësit nuk i kemi parë më. Ku është Sadam Huseini? Ku janë djemtë e tij Kusai dhe Idai? Ata nuk po flasin”, tha Sekretari Ramsfelld.

Zoti Ramsfelld tha se ndonëse Pentagoni nuk e di me saktësi se ku janë ata, ai thekson se udhëheqësit e Irakut nuk janë parë e as janë ndjerë gjatë ditëve të fundit. Sekretari Ramsfelld tha se ata mund të kenë qënë mes viktimave të sulmit të papritur me raketa në Bagdat para 11 ditësh, që shënoi edhe fillimin e sulmit ndaj Irakut. Disa orë para komenteve të Sekretarit Ramsfelld, komandanti i forcave të koalicionit u tha gazetarëve se ai nuk kishte parë të dhëna të besueshme se forcat irakiane janë nën kontrollin e udhëheqjes së lartë të vendit. Zoti Ramsfelld po ashtu shtoi se ai beson se familjet e disa udhëheqësve irakianë mund të jenë larguar nga vendi.

Frenks: shkatërrohet një bazë teroriste në Irak

Komandanti i forcave të koalicionit që po luftojnë për të përmbysur regjimin e Sadam Huseinit në Irak thotë se trupat shkatërruan atë që ai e cilësoi si një kamp të madh terrorist në veri të Irakut.

Gjenerali Tomi Frenks nuk dha shumë hollësi por la të kuptohet se kampi në fjalë mund të japë prova për lidhjen e qeverisë së Bagdatit me terrorizmin.

“Forcat e koalicionit sulmuan dhe shkatërruan gjatë 48 orëve të fundit një kamp të madh terrorist në veri të Irakut dhe në këtë moment forcat tokësore po analizojnë rezultatet e sulmit”, tha gjenerali Frenks.

Gjenerali Frenks tha se forcat e koalicionit kanë arritur përparim të madh që nga fillimi i luftës para 11 ditësh.

Ai i mohoi njoftimet se ka kërkuar trupa shtesë për shkak të rezistencës së forcave irakiane në jug të vendit. Ai tha se automjetet që furnizojnë trupat po përparojnë bashkë me to drejt Bagdatit dhe se çdo ditë forcat e koalicionit po marrin kontakt me irakianë që e kundërshtojnë regjimin në Bagdat. (ax)

XS
SM
MD
LG