Lidhje

Publikohet raporti  mbi gjendjen e lirisë së shtypit për vitin 2002 - 2003-03-31


Në fund të vitit 2002, numri i gazetarëve të burgosur ishte 136 vetë, shifër kjo 70 për qind më e lartë se në vitin 2000.

Drejtori i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Xhoel Sajmon, thotë se raporti përmend emrat e disa vendeve që shkelin të drejtat e gazetarëve.

”Tre janë vendet që kanë shumicën e gazetarëve të burgosur. Vendin e parë e ze Kina, me 39 gazetarë në burg. Për të katërtin vit rresht, ky vend ka numrin më të madh të gazetarëve të burgosur. Pas Kinës, vijnë Nepali dhe Eritrea,”- thotë zoti Sajmon.

Drejtori i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Sajmon, përmend Kolombinë, Haitin, Zimbabven dhe Rusinë, si dhe disa vende të tjera, që mbajnë qëndrim veçanërisht armiqësor ndaj gazetarëve.

Raporti titullohet “Sulme ndaj gazetarëve” dhe në të dokumentohen rreth 500 raste të shkeljes së të dretjave të gazetarëve në 120 vende të botës, ku përfshihen shkelje të ndryshme, nga cenzurimi i shkrimeve të tyre dhe kërcënimi ligjor, e deri tek sulmet, apo vrasjet e gazetarëve.

Gjatë vitit 2002 u vranë 20 gazetarë, që është shifra më e ulët që nga viti 1985, kur Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve filloi të merret me gjurmimin e rasteve të vrasjes së gazetarëve. Xhoel Kampanja, drejtuesi i Sektorit të Lindjes së Mesme të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, thotë se pakësimi i numrit të gazetarëve të vrarë që nga viti 1985, ka të bëjë me pakësimin e numrit të luftrave të botë që nga ai vit.

Por zoti Kampagna thotë se është i shqetësuar për numrin e gazetarëve që mund të vriten gjatë luftës në Irak.

“Më pak se dy javë kanë kaluar nga fillimi i luftës me Irakun dhe janë vrarë dy gazetarë. Pol Moran, kameraman i rrjetit televiziv ABC në Australi u vra gjatë një sulmi vetëvrasës me bombë në Irakun Verior. Sipas njoftimeve, në Irakun Jugor, u vra korrespondenti i rrjetit televiziv ITV, Terri Lloid. Ai po udhëtonte me një ekip gazetarësh, kur papritur u ndodh në mes të zjarrit të armëve të forcave të koalicionit. Hollësitë e tjera në lidhje me këtë ngjarje janë paksa të përgjithshme.”-thotë zoti Kampagna.

Një gazetar i tretë u gjet i vdekur jashtë një hoteli në Irakun Verior, por mendohet se ai mund të ketë vdekur ngaqë ka rënë akidentalisht.

Ndërkohë, një numër gezetarësh të tjerë nuk dihet se ku ndodhen.

Drejtori i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Xhoel Sajmon, thotë se vdekjet e gazetarëve në rajonet ku zhvillohen luftra, ndryshe nga sa mendojnë shumë vetë, zakonisht nuk shkaktohen ngaqë ata raportojnë pranë vendit ku zhvillohen përleshjet.

“Në vitin 2002, ashtu sikurse çdo vit tjetër, numri i gazetarëve të vrarë në vendin ku zhvillohen luftimet, është shumë i vogël. Vitin e kaluar, shumica e gazetarëve janë vrarë gjatë gjurmimit të tyre, si masë ndëshkimore për raportimin e ngjarjeve të ndryshme,”- thotë zoti Sajmon.

Drejtori i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Sajmon, thotë se në shumë vende të botës, ka vetëm një numër të vogël gazetarësh që merren me hetimin e ngjarjeve të ndryshme dhe se shpeshherë, vrasja e një gazetari është mënyra më e mirë për groposjen e një ngjarjeje.// lk //

XS
SM
MD
LG