Lidhje

Amerikanët po u përshtaten masave të reja të sigurimit - 2003-04-05


Amerikanët po u përshtaten masave të reja të sigurimit në ndërtesat publike, terminalet e aeroporteve dhe në vendet e punës. Kohët e fundit një grup ekspertësh shqyrtuan sfidat me të cilat ndeshet vendi në frontin e brendshëm.

Ndryshe nga perceptimi i përgjithshëm në Amerikë, terrorizmi nuk është një fenomen i ri, thotë Jules Kroll i firmës së sigurimit Kroll Incorporated.

Jo shumë vite më parë, në fund të viteve ’60 në kohën e konfliktit në Vietnam, në bankat e Kalifornisë dhe në vende të tjera vendoseshin bomba.

Zoti Kroll ishte ndër ekspertët e shumtë që e morën fjalën në një konferencë të organizuar në Los Angeles. Ai kujton se gjatë gjithë viteve ’70, grupe si Brigadat e Kuqe në Itali, dhe banda Baader-Meinhof në Gjermani terrorizonin Evropën. Ai thotë se vendet evropiane arritën nivele të ndryshme suksesi në luftën kundër terrorizmit, duke mundur të respektojnë të drejtat e njeriut të qytetarëve të tyre.

Terrorizmi nga ekstremistët islamikë u shfaq në Shtetet e Bashkuara në vitin 1993, kur një grup i udhëhequr nga Ramzi Yousef kreu një sulm me bombë në Qendrën Botërore të Tregëtisë, duke shkaktuar vdekjen e 6 vetëve dhe plagosjen e më shumë se 1 mijë të tjerëve.

Më pas kompanisë së zotit Kroll iu kërkua të bënte vlerësimin e gjendjes së sigurisë së qendrës, dhe ai thotë se u sugjeruan një numër përmirësimesh, përfshirë edhe ndryshime në procedurat e evakuimit.

Por për fat të keq, thotë ai, askush nuk mund ti mbronte dy kullat e Qendrës Botërore të Tregëtisë kur avionët u përdorën si raketa. Më shumë se 2 mijë e 800 vetë vdiqën kur zjarri bllokoi daljet dhe ndërtesat u shembën.

Që pas sulmit, thotë analisti, kompanitë private e kanë marrë më me seriozitet sigurimin.

Për shembull, një studio e rëndësishme kinematografike ka vënë në zbatim një program, i cili u kërkon bashkëpunëtorëve të kontrollohet biografia e personave që futen në studiot e saj, pasi studiot shihen si objekt sulmesh i atyre personave që nuk besojnë në mënyrën perëndimore të jetesës dhe e shohin Hollivudin si një element të së keqes.

Ndërkohë që kompanitë private shtojnë masat e sigurimit, qeveritë vendore dhe shtetërore po bashkohen me luftën kundër terrorizmit.

John Miller punonte më parë si reporter i një stacioni televiziv. Ai ka intervistuar Osama bin Ladenin dhe ka shkruar një libër për rrjetet terroriste. Kohët e fundit ai u emërua shef i zyrës së re kundër terrorizmit në Departamentin e Policisë në Los Angeles. Pas organizimit të plotë, kjo zyrë do të ketë 200 punonjës.

Gjysma e punës do të përqëndrohet në hetime, vëzhgime dhe zbulime. Pjesa tjetër, ku do të përfshihet edhe një skuadër për çaktivizmin e bombave si dhe një njësi për mbrojtjen nga materiale të rrezikshme, do të zhvillojë edhe veprimtari planifikimi dhe parandalimi.

Kostoja e masave të shtuara të sigurimit mbetet problematike për zyrtarët vendorë. Los Angelesi tërhoqi 6 milion dollarë nga fonde të tjera të qytetit për të paguar për kostume të mbrojtjes kimike për policinë dhe zjarrfikësit. Zyrtarët federalë kanë premtuar grumbullimin e fondeve të tjera, por ende nuk i kanë siguruar ato.

Kostoja e sigurimit ka shënuar një rritje të madhe në aeroportet amerikane që pas sulmeve të 11 shtatorit si rrjedhojë e shtimit të numrit të punonjësve të sigurimit si dhe masave të reja për kontrollin e pasagjerëve dhe bagazheve. Administrata e re për Sigurimin e Transportit mbikqyr sigurinë në aeroporte, duke shpenzuar rreth 6 miliardë dollarë në vit.

Grupe majtiste dhe anarkiste ishin organizatorë të një pjese të madhe të akteve terroriste në vitet ’70. Shumë prej grupeve të sotme terroriste janë ekstremistë islamikë. Punonjësi i rajonit të policisë së Los Angelesit John Miller thotë se zemërimi i myslimanëve dhe arabëve lidhur me çështjen palestineze është burimi i shumë incidenteve terroriste, përfshirë edhe sulmet e 11 shtatorit, mendon ai.

David Gordon, i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA-s, i kundërvihet këtij qëndrimi. Ai thekson se Osama bin Laden e përqafoi më vonë çështjen palestineze.

"Motivimi i al-Qaidës, motivimi i Osama bin Ladenit nuk ishte çështja palestineze. Jam dakort që çështja palestineze po bëhet gjithnjë e më tepër nxitëse e ekstremizmit islamik në botë."

Zyrtari i zbulimit është i një mendimi me zotin Miller se strategjia e luftës kundër terrorizmit duhet të përfshijë një plan për paqe në Lindjen e Mesme.

Pjesëmarrësit në këtë diskutim thonë se strategjitë e tjera përfshijnë përforcimin e objekteve të prekshme nga sulmet si portet detare si dhe mbledhjen e informatave më të mira lidhur me rrjetet terroriste.

//ze//

XS
SM
MD
LG