Lidhje

Forcat amerikane po konsolidojnë pozicionet e tyre në Bagdad dhe përreth tij - 2003-04-09


Forcat amerikane po konsolidojnë pozicionet e tyre në Bagdad dhe përreth tij, ndërkohë që zyrtarë të ushtrisë thonë se e kanë izoluar kryeqytetin irakian. Forcat amerikane kanë përparuar edhe më shumë në Bagdad, ndërkohë që zyrtarë të koalicionit përpiqen të mësojnë në se udhëheqësi irakian Sadam Husein u vra nga sulmi i së hënës.

Zyrtarë amerikanë thonë se sulmi në lagjen Mansur të Bagdadit u krye pasi informacioni i zbulimit linte të kuptohej se Sadam Huseini, dy djemtë e tij dhe zyrtarë të tjerë të lartë mund të ishin duke u takuar aty. Zyrtarët amerikanë thanë se do të duhet një farë kohe për të përcaktuar në se udhëheqësi irakian ishte i pranishëm kur u krye sulmi. Disa shtëpi u shkatërruan si pasojë e atij sulmi dhe lajmet bëjnë të ditur se të paktën 9 veta u vranë.

Presidenti Bush tha dje se nuk ka dijeni në se Sadam Huseini i shpëtoi gjallë sulmit. Zoti Bush tha: E vetmja gjë që unë di është se Sadam Huseini po humbet pushtetin. Luftimet në disa pjesë të Bagdadit vazhdojnë, por një zyrtar i lartë i Pentagonit tha se trupat janë më se të bindura që mund ta kalojnë natën kudo që të duan në Bagdad.

Komanda Qëndrore Amerikane njoftoi dje se marinsat amerikanë futën nën kontroll bazën ajrore Rashid të ushtrisë irakiane, aeroporti i dytë nga 3 aeroporte të Bagdadit, që vihen nën kontrollin e forcave të koalicionit. Zyrtarë të Pentagonit thanë se një aeroplan i koalicionit u rrëzua dje me anë të një rakete tokë-ajër në afërsi të Bagdadit. Piloti u hodh nga aeroplani dhe u shpëtua prej forcave të koalicionit.

//ze//

XS
SM
MD
LG