Lidhje

Shkup:Reagime habitëse për faljen e ish ministres së mbrëndshme - 2003-04-09


Kryeministri maqedonas Branko Cërvenkovski i cili e inicoi çështjen e përgjimit pasi ai vetë ishte viktimë e një akti të tillë deri sa ishte në opozitë, është shprehur i habitur me vendimin e presidentit Trajkovski për të falur zyrtarët më të lartë të ndërlikuar me çështjen e përgjimit. Ai u tha gazetarëve se me një vendim të tillë pamundësohet ndriçimi i plotë i njërit prej skandaleve më të mëdhenj të viteve të fundit në Maqedoni dhe se në këtë mënyrë pengohet procedura objektive gjyqësore. Kryeminisri Cërvenkovski nuk kishte koment në pyetjen nëse duhej të shkarkohej nga posti presidenti i vendit për këtë hap që ka marrë. Partia e kryeministrit LSD nuk e ka njohur zotin Trajkovski si president që nga zgjedhjet presidenciale deri në kohën e konfliktit të armatosur dhe i referohej atij me ‘qytetari Trajkovski’.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian Irena Guzelova tha sot se nuk është në mandatin e BE të komentojë, por ky incident nuk do të ndikojë në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

Partia shqiptare e opozitës PDSH, e gjykon vendimin e presidentit duke thënë se mungon transparenca në të gjitha ngjarjet që kanë të bëjnë me përgjimin. Zëdhënësi Demush Bajrami e quajti vendimin një "zbatim selektiv të dispozitave të caktuara që janë pjesë ose e drejtë e Presidentit të shtetit". PDSH thotë se kur mund të falen zyrtarë të inkriminuar në raste të tilla duhet falur dhe shqiptarët që po vuajnë burgje në lidhje me konfliktin e armatosur të vitit 2001.//ss//

XS
SM
MD
LG