Lidhje

Debat për sistemin e drejtësisë në Parlamentin e Kosovës - 2003-04-10


Shefi i shtyllës së parë të UNMIK-ut, që është përgjegjës për policinë dhe drejtësinë, Jean Christian Cady, tha sot se, emërimi sikundër edhe shkarkimi i gjykatësve dhe prokurorëve, është e drejtë e rezervuar për shefin e UNMIK-ut, ndërsa Parlamenti i Kosovës mund të jap propozime, por nuk ka asnjë forcë vendosëse për këtë cështje.

Ai i bëri këto komente duke ju përgjigjur kritikave të shumta të deputëtëve të Parlamentit, të cilët kanë vlerësuar, se sistemi i drejtësisë në Kosovë, është në gjendje mjaft të rëndë, pos tjerash edhe për shkak të mungesës së ligjeve vendore. Aktualisht, këtu zbatohet një pjesë e madhe e ligjeve jugosllave që ishin në fuqi para 28 marsit të vitit 1989, kur ish presidenti jugosllav tash i akuzuar për krime lufte, Sllobodan Millosheviç, rrënoi autonominë e Kosovës.

Deputetët shtruan shumë kritika edhe rreth kuadrove të angazhuara në sistemin e drejtësië. Mirëpo, zoti Cady tërhoqi vërejtjen se kjo, çështje nuk është në duart e Parlamentit, duke ju referuar rregulloreve të UNMIK-ut dhe Kornizës Kushtetuese të Kosovës. “Ato i japin administratorit të Kosovës autoritetin e plotë për emerimin, shkarkimin dhe disiplinimin e gjykatëvse dhe prokurorëve”, tha zoti Cady, “ndërsa parlamenti mund të jap propozime dhe vërejtje para se emërimet të nënshkruhen nga shefi i UNMIK-ut, mirëpo nuk mund të vendosin për këtë cështje”. Ai pranoi ndërkaq se ende disa dhjetëra mijëra raste të pazgjidhura presin të shqyrtohen në gjykatat e Kosovës.

Sipas tij, sistemi i drejtësisë në Kosovë është shumëetnik dhe synon të jetë i pavarur ndërsa bëri thirrje që të mos ndërhyhet në punën e gjykatave duke ju përgjigjur kritikave për raste të vecanta ku sipas deputetëve, drejtësia ka dështuar. Zoti Cady tha se aktualisht 27 gjykatës dhe prokurorë ndërkombtarë që punojnë në Kosovë merren me 3 apo 4 për qind të rasteve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe krimet e luftës, për shkak të pamundësië që me këto cështje të merren gjykatësit dhe prokurorët vendorë.

//rd//

XS
SM
MD
LG