Lidhje

Irak: plaçkitjet dhe aktet e paligjshme arrijnë nivele shqetësuese - 2003-04-11


Ushtarët irakianë në qytetin verior të Mosulit u dorëzuan sot në masë, duke lënë qytetin e lindjes së Sadam Huseinit, Tikrit, si qëndresën e tij të fundit të rëndësishme. Megjithëse vazhdojnë sukseset e forcave të koalicionit në fushën e betejës, gjithnjë e më shumë po shtohet shqetësimi për plaçkitjet dhe mungesën e rendit në Bagdat dhe qytete të tjera.

Njerëzit e Sadamit vazhdojnë të humbasin kontrollin. Zyrtarët e ushtrisë amerikane thonë se një armatë e tërë e ushtrisë irakiane iu dorëzua trupave amerikane dhe luftëtarëve kurdë në Mosul dhe se ushtarët u nisën drejt shtëpive të çarmatosur.

Gjenerali amerikan Vincent Brooks foli me gazetarët në selinë e Komandës Qendrore në Katar:

"Shumë forca irakianë hoqën uniformat dhe u larguan nga fusha e betejës për t’u kthyer në shtëpi, pa armë. Pikërisht këtë ka kërkuar koalicioni," tha zëdhënësi.

Zyrtarët amerikanë thonë se kanë sinjalizime se disa zyrtarë të lartë të regjimit të Sadamit po përpiqen të largohen nga Iraku. Komandanti i forcave të koalicionit, Gjenerali amerikan Tommy Franks, foli me gazetarët gjatë qëndrimit në Afganistan ku vizitoi trupat amerikane:

“Ata ose kanë vdekur ose po ikin. Kjo është gjendja e udhëheqjes së regjimit brenda Irakut,” tha gjenerali.

Megjithë sukseset që kanë arritur forcat e koalicionit në fushën e betejës, po shtohet shqetësimi se nuk po bëhet sa duhet për të ndalur aktet e paligjshme dhe plaçkitjet në Bagdat dhe qytete të tjera. Ja se si ankohet një banor për gjendjen në qytetin e çliruar të Kirkukut në Irakun verior:

“Kemi problem vjedhjet. Kudo në Kirkuk po ndodhin plaçkitje. Duhet të vendoset siguria. Britania dhe qeveria amerikane duhet të angazhohen për vendosjen e sigurisë,” thotë ai.

Sekretarja britanike për ndihmat e jashtme Clare Short foli mbi këtë çështje në radion britanike:

“Fuqitë e angazhuara në konflikt: Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Australia e kanë për detyrë të mbrojnë rendin në mbarë Irakun, të sigurojnë vazhdimësinë e shërbimeve humanitare bazë për civilët si dhe funksionimin e administratës civile. Duhet të bëhen përpjekje shumë më të mëdha për të ndalur plaçkitjet dhe dhunën,” tha sekretarja britanike për ndihmat e jashtëme, Short.

Gjenerali amerikan Vincent Brooks tha se ushtria po ndihmon për rindërtimin e administratës civile të Irakut. Por ai shtoi se koalicioni pret që vetë irakianët të marrin përsipër përgjegjësitë e vendosjes së rendit dhe ligjit:

“Duhet të tregohemi të duruar në këtë drejtim. Ne nuk kemi të njëjtin kontroll mbi popullsinë ashtu si regjimi i Sadamit. Ne po punojmë së bashku me popullin irakian dhe do të përpiqemi ta realizojmë këtë në bashkëpunim me irakianët,” tha gjenerali Brooks.

Në frontin diplomatik, udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Rusisë po zhvillojnë dy ditë bisedime në qytetin rus të Shën Peterburgut për të diskutuar mbi shtimin e rolit të Kombeve të Bashkuara në rindërtimin e Irakut. Administrata e presidentit Bush ka thënë se Kombet e Bashkuara do të luajnë rol në Irakun e pas luftës, por se do të jenë vendet e koalicionit që mbështetën veprimet ushtarake që do të luajnë rolin udhëheqës. //ad//

XS
SM
MD
LG