Lidhje

Beograd: Intelektualë dhe zyrtarë nga rajoni zhvillojnë takimin “Patriotizmi i ri” - 2003-04-12


Në Beograd po mbahet takimi ndërkombëtar me temën "Patriotizmi i ri", ku po marrin pjesë përfaqësues të organizatave joqeveritare, specialistë të kulturës dhe shkencës nga vendet e rajonit dhe bota.

Duke e quajtur këtë takim si shumë të qelluar, sepse po nis një temë tejet të rëndësishme, Adem Demaçi, veprimtar nga Kosova, tha se për zgjidhjen e qëndrueshme të problemeve në rajon duhet të respektohen interesat dhe synimet si të pakicave, edhe të shumicave.

Duke i hedhur një vështrim konfliktit të gjatë shqiptaro-serb dhe statusit të pazgjidhur të Kosovës, Demaçi në takimin, që po mbahet në Beograd, tha se është e nevojshme që sa më parë të fillojnë bisedimet dhe veprimet konkrete në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Sepse tha ai vetëm në këtë mënyrë është e mundshme edhe zgjidhja e qëndrueshme e problemeve ndëretnike.

Duke u përpjekur ta përkufizojë nocionin "patriotizmi i ri" në shtetet e rajonit, zoti Demaçi tha se ky duhet të jetë "patriotizmi evropian", përmes së cilit pavarësisht nga problemet kombëtare, do të zgjidheshin edhe shumë probleme ekonomike e kulturore.

Shefi i diplomacisë së Serbisë e Malit të Zi, Goran Svillanoviq i cili mori pjesë në këtë takim, duke folur për proceset e tranzicionit dhe patriotizmin e ri, tërhoqi vërejtjen se në vendet e rajonit është lënë pas dore çështja shumë e rëndësishme e pakicave.

Ai tha se Serbinë dhe Malin e Zi, nga vendet tjera në procesin e tranzicionit, e dallojnë marrëdhëniet e pazgjidhura të shteteve anëtare, bashkëpunimi problematik me Gjykatën e Hagës dhe statusi i pazgjidhur i Kosovës.

Ai tha se autoritetet e Bashkësisë shtetërore po punojnë për aftësimin e Bashkësisë, kurse bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës duhet të kontribuojë në përcaktimin e përgjegjësisë individuale, e jo kolektive të mbarë popullit.

Zoti Svillanoviq theksoi se si në Kosovë ashtu edhe në Serbi shoqëritë janë shkatërruar dhe nuk ekzistojnë institucione shtetërore e civile, dhe shtoi se derisa të mos përtërihen lidhjet midis njerëzve dhe institucioneve, askush nuk do të mund ta përkufizojë deri në fund nocionin "patriotizmi i ri".

Kurse këshilltari i kryeministrit të Serbisë, Ivo Vejvoda vlerëson se çelës i modernizmit janë institucionet të cilat mundësojnë realizimin e të drejtave të qytetarëve, por edhe e ndajnë shtetin nga shoqëra civile.

Ai tha se Serbia tani po e bën ndarjen e shtetit dhe të shoqërisë dhe po krijon institucione demokratike, duke shtuar se në këtë proces është i domosdoshem bashkëpunimi me shtetet e rajonit. Edhe zoti Vejvoda tha se patriotizmi i ri për vendet e rajonit, është patriotizmi evropian.

Pjesëmarrësit përveç temës në fjalë do të diskutojnë edhe për përvojat e bashkimit të Gjermanisë dhe proceset e tranzicionit. Në takim merrte pjesë edhe analisti shqiptar, Fatos Lubonja.//kk//

XS
SM
MD
LG