Lidhje

Doganat maqedonase kapin 34 kilogramë drogë - 2003-04-15


Doganierët maqedonas njoftuan se në vendkalimin kufitar të Qafëthanës kanë gjetur në një autoveturë 34 kilogramë drogë, por nuk kane bërë të ditura hollësi të tjera në lidhje me këtë rast.

Drejtoria e Doganave në Shkup bëri sot te ditur se droga ishte paketuar në ambalazhe polietileni dhe se në përpjekje për ta kontrabanduar atë ishin ndërlikuar shtetas të Maqedonisë dhe Turqisë.

Numri i të kapurve nuk është bërë i ditur, ndërsa thuhet se ata i janë dorëzuar policisë për hetime të mëtejshme.

Ndërkohë, Ministria maqedonase e Punëve të Jashtme bëri sot të ditur se po ndërmerren aktivitete të vazhdueshme për zgjidhjen e problemeve praktike të banorëve nga të dyja anët e kufirit te fshatrat Brezë, Malinë dhe Tanushë, pas kërcënimit të këtyre banorëve për mosbindje ndaj shtetit.

Një delegacion i Ministrisë së Brendëshme shkoi sot në këto fshatra për të parë gjendjen atje. Qeveria e Shkupit thotë se ka marrë vendim për hapjen e dy pikëkalimeve kufitare me Kosovën, një te fshatrat Tanushë e Debëlldeh dhe tjetri te Restelica në malet e Sharrit. Ministria e jashtme në Shkup thotë se është marrë vesh që hapja e pikëkalimeve kufitare me Kosovën të realizohet në bashkëpunim me UNMIKun.

Banorët e tre fshatrave të lartpërmendur ankohen se shteti nuk i pajisë ata me dokumente të nënshtetësisë dhe me dokumente personale identifikimi që u shkakton atyre problem me patrullat ushtarake dhe policore.

Dhe në një zhvillim tjetër, presidenti maqedonas Boris Trajkovski nënshkroi vendimin për faljen e drejtoreshës së Agjensisë për kundërzbulim Dosta Dimovska. Shefi i Kabinetit të zotit Trajkovski tha se ky vendim tashmë është i dokumentuar. Ai njoftoi se presidenti do të mbajë fjalim para deputetëve me siguri gjatë javës së ardhshme, sepse siç tha, dje i ka marrë kërkesat e nënshkruara nga shumica e grupeve parlamentare. Gjatë këtij adresimi ai do të bëjë të njohura motivet e tij për faljen e dy zyrtarëve të lartë në lidhje me çështjen e përgjimit të telefonave.

//rd//

XS
SM
MD
LG