Lidhje

SHBA: 200 mijë dollarë për informacion mbi vendndodhjen e Saddam Husseinit - 2003-04-16


Shtetet e Bashkuara po ofrojnë deri në 200 mijë dollarë për informacione lidhur me vendndodhjen e udhëheqësit irakian Saddam Hussein.

Saddami ishte objektivi i dy goditjeve të fuqishme ajrore amerikane në Bagdad, por zyrtarët amerikanë thonë se nuk e dinë nëse ai ka vdekur apo është ende gjallë.

Ndërkohë, dëshmitarët thonë se trupat amerikane kishin gisht në një incident që ndodhi të mërkurën në Mosul ku mbetën të vrarë të paktën 3 persona. Ushtarakët amerikanë konfirmuan po të mërkurën se marinsat vranë të martën në këtë qytet të paktën 7 veta.

Zëdhënësi i Komandës Qendrore, gjeneral brigate Vincent Brooks tha se forcat amerikane shtinë me armë zjarri ndaj turmës, për t’ju përgjigjur zjarrit. “Është e vërtetë se forcat e koalicionit hapën zjarr dhe disa irakianë u vranë. Ne mendojmë se mund të jenë vrarë rreth 7 persona dhe mund të ketë patur të plagosur”, tha zëdhënësi.

Gjenerali Brooks tha se ushtarët amerikanë ishin sulmuar nga të dyja anët dhe se ndaj ndërtesës në të cilën ata ndodheshin, ishte hapur zjarr.

Njoftimet nga Mosuli citojnë disa nga personat që u plagosën gjatë incidentit, sipas të cilëve ndaj trupave amerikane nuk ishte qëlluar me armë zjarri. Ata thanë se marinsat amerikanë hapën zjarr, pasi turma filloi të qëllonte me gurë një përfaqësues të opozitës irakiane, i cili po fliste para publikut, duke përshëndetur mbërritjen e forcave amerikane në qytetin e Mosulit.//kk//

XS
SM
MD
LG