Lidhje

Ohër: seminar kundër trafikut të qenieve njerëzore - 2003-04-16


Departmanti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara dhe misioni i OSBE-së në Shkup pritet të organizojë një seminar tre-ditor në Ohër kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Seminari i cili fillon të enjten do të mbledhë 40 prokurorë, hetues dhe inspektorë policie të cilët janë drejtpërdrejt të përfshirë në ndihmën ndaj viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore.

Përmes këtij seminari synohet të përmirësohet prokurimi i çështjeve që lidhen me trafikimin e qenieve njerëzore dhe ndihma për mbrojtjen e viktimave të trafikimit. Po kështu forumi pritet të jetë i hapur për diskutim në lidhje me dobësitë që vihen re dhe pritet të propozohen rekomandime për përmirësimin e tyre.

Trafikimi i qenieve njerëzore është një nga problemet kryesore për Maqedoninë, me të cilin merren zyrtarët vendas dhe ata ndërkombëtarë. Qindra vajza, kryesisht nga Evropa Lindore, hyjnë dhe qendrojnë në Maqedoni ose e përdorin atë si rrugë tranziti për në vende të tjera.

Zyrtarët ndërkombëtarë në Shkup theksojnë se duhet të bëhet dallim i qartë midis trafikimit të qenieve njerëzore dhe prostitucionit. Policia e Maqedonisë po vazhdon aksionet kundër trafikimit të qenieve njerëzore duke kontrolluar bare nate ku mendohet se vajza të reja nga vende të Evropës Lindore, si Rumania, Moldavia, Ukraina, apo vende të tjera përdoren për prostitucion të detyruar.

Zyrtarët kanë thënë se do të vazhdojnë të luftojnë krimin e organizuar dhe dukuritë e tjera që pengojnë zhvillimin normal të vendit. IOM, Organizata Ndërkombëtare për Migrim, që kujdeset për rehabilitimin dhe riatdhesimin e femrave që detyrohen të futen në rrethet e prostitucionit, ka ngritur qendra për kujdesin ndaj këtyre femrave nga Evropa Lindore, të cilat më pas riatdhesohen në vendet e origjinës.

Një pjesë e këtyre vajzave të reja, të cilat janë intervistuar nga media vendase, kanë thënë se janë keqtrajtuar nga bosët e trafikimit dhe persona të tjerë që i frekuentonin ato.

Ndërkohë, të mërkurën në Shkup pritet të mbërrijë për një vizitë një-ditore Kryeministri francez, Zhâ Pier Rafarę, i cili do të takohet me Kryeministrin maqedon, Branko Cërvenkovski, dhe zyrtarë të tjerë të lartë vendas. Kryeministri francez pritet të bisedojë gjithashtu me drejtues të misionit të forcave evropiane të mbrojtjes në Maqedoni, mision që është koduar me emrin Konkordia. //az//

XS
SM
MD
LG