Lidhje

Sekretari Powell ka në plan të vizitojë Sirinë - 2003-04-17


Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell thotë se shpreson të shkojë në Siri së shpejti për ato që ai i quan diskutime të sinqerta me zyrtarët sirianë. Nuk dihet me saktësi data se kur do ta fillojë vizitën në Siri zoti Powell, e cila është pjesë e një turneu të tij më të gjerë për çështjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Zyrtarë të lartë amerikanë e kanë akuzuar vazhdimisht Sirinë se ka strehuar pjesëtarë të regjimit të përmbysur të Saddam Husseinit, si dhe për prodhimin dhe provat me armë kimike. Ministri i Jashtëm sirian tha se Sekretari Powell është i mirëpritur në Siri, por pas bisedimeve që zhvilloi sot në Kairo, ai tha se Siria nuk do të lejojë inspektim armësh. Por, shtoi Ministri i Jashtëm sirian, vendi i tij do të bashkohet me forcat e tjera të botës për eliminimin e armëve të shkatërrimit në masë në vendet e Lindjes së Mesme.

Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell nuk e bëri të njohur datën se kur do të shkojë në Damask, e cila do të jetë vizita e tij e parë në Siri që nga prilli i vitit të kaluar. Por ai i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se shpreson që ky udhëtim të realizohet, për të vazhduar, atë që ai e quajti, ”një shkëmbim tepër të fuqishëm diplomatik” me autoritetet siriane në lidhje me shqetësimet e Shteteve të Bashkuara mbi luftën e Irakut, si dhe në lidhje me informacionet se figura të regjimit të Saddam Husseinit janë fshehur në Siri.

"Ne kemi qenë të sinqertë me sirianët, dhe gjithashtu ua kemi bërë të qartë atyre se ne nuk jemi të mendimit se do të ishte në interesin e tyre të drejtohen nga njerëzit që përpiqen të largohen nga Iraku, për t’u fshehur në vende të ndryshme të botës", tha sekretari Powell.

Zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit thonë se vizita e Sekretarit Powell në Siri mund të jetë pjesë e një turneu të tij në vende të tjera të Lindjes së Mesme, për fillimin me ndërmjetësimin e 4 vendeve të ndryshme, të hartimit të një projekti për paqen midis izraelitëve dhe palestinezëve, pasi si kryeministër i ri i palestinezëve u miratua Mahmud Abbas. Zoti Powell premtoi se do të ketë një angazhim shumë më aktiv nga ana e Shteteve të Bashkuara në lidhje me këtë çështje, sapo Autoriteti Palestinez sipas fjalëve të tij, të ketë ”tranformuar udhëheqjen”.

//rd//

XS
SM
MD
LG