Lidhje

Administratori Shtajner thotë se UNMIK dhe KFOR nuk do të lejojnë veprimin e grupeve te armatosura - 2003-04-18


Shefi i UNMIK-ut, Mihajl Shtajner, tha të premten se Misioni i Kombeve të Bashkuara dhe forcat paqëruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, nuk do të lejojnë veprimin e asnjë grupi të armatosur në Kosovë. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në qytetin e Mitrovicës duke nënvizuar se është i sigurt në përkrahjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare për vendimin e tij që të shpallë oranizatë terroriste Armatën Kombëtare Shqiptare.

Ai tha se Misioni i OKB-së ka ndjekur nga afër të gjitha zhvillimet që lidhen me Armatën Kombëtare Shqiptare, posacërisht shpërthimin e fundit të linjës hekurudhore në veri të Kosovës, që sipas tij, ishte pa mëdyshje një veprim terrorist. ”Prandaj, tha ai, tashmë nuk ka mëdyshje se Armata Kombëtare Shqiptare është organizatë terroriste”.

Zoti Steiner tha se UNMIK-u asnjëherë ”nuk pohuar, por as ka mohuar ekzistencën e Armatës Kombëtare Shqiptare duke ndjekur me kujdes zhvillimet rreth kësaj dukurie”. Por tash nuk ka më kuptim që të fshihet e vërteta, nënvizoi ai. “Nëse dikush sillet dhe flet si organizatë terroriste dhe ka të gjitha tiparet e tilla, atëherë duhet të cilësohet si organizatë terroriste”, tha zoti Shtajner duke u zotuar se një qëndrim të njëjtë do të mbajë edhe ndaj të gjitha grupeve apo formacioneve të ngjashme kudo që të jenë.

Një ditë më parë, zoti Shtajner e shpalli Armatën Kombëtare Shqiptare organizatë terroriste, pesë ditë pas një shpërthimi në hekurudhën që lidh Kosovën me Serbinë në komunën e Zveçanit, veprim ky për të cilin Armata Kombëtare mori përgjegjësinë nëpërmjet një komnikate në faqen e internetit nëpërmjet të së cilës ajo edhe njihet në Kosovë. Shpërthimin e së dielës e kanë dënuar edhe përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës. //az//

XS
SM
MD
LG