Lidhje

Maqedoni: PDSH-ja pezullon veprimtarinë për një kohë të pacaktuar - 2003-04-19


Kuvendi qendror i partisë demokratike shqiptare miratoi të shtunën në Tetovë një moratorium, sipas të cilit kjo parti ngrin veprimtarinë e saj politike për një kohë të pacaktuar, tërheq deputetët e saj nga parlamenti i Maqedonisë dhe u kërkon të zgjedhurve të saj në nivel vendor të punojnë vetëm në bazë të vetëqeverisjes vendore, në shërbim të popullsisë.

Kuvendi qendror i PDSH-së nuk pranoi dorëheqjet e paraqitura nga kryetari i saj Arbër Xhaferri dhe nga nënkryetari Menduh Thaçi, por as nuk mori të shtunën ndonjë vendim për ndryshimin e konceptit dhe programit të partisë, për të cilin, zotërinjtë Xhaferri dhe Thaci thanë se kishin bindje të ndryshme nga ai.

Kuvendi i PDSH-së miratoi krijimin e një Grupi Kontakti, i cili do të shërbejë si kontakt teknik për kohën e pacaktuar në të cilën zgjat moratoriumi. Dy drejtuesit kryesorë të PDSH-së, Arbër Xhaferri dhe Menduh Thaçi, dolën të shtunën publikisht me idenë e formësimit të shteteve etnike në Ballkan si më rezistente.

Zoti Xhaferri i tha Zërit të Amerikës, se do të hapë një debat brenda vendit dhe më gjerë në lidhje me perspektivat e shteteve shumëetnike. Zoti Xhaferri tha se debate të tilla happen që të mos shkojë puna deri tek përdorimi i armëve. Zoti Xhaferri vlerësoi se nuk ia vlen të mundohesh më me marrëveshjen e Ohrit, siç u shpreh ai, është njësoj si të mundohesh të ngresh gurin e Sizifit.

Duke hedhur poshtë edhe njëherë mundësinë e ndonjë koalicioni midis tij dhe ish-kryeministrit Lupco Georgievski, zoti Xhaferri tha se lufta i rrënoi mundësitë për koalicion me VMRO-DPMNE-në.

Nënkryetari Menduh Thaçi, tha gjithashtu se kishte ndërmend të punonte me institucione brenda dhe jashtë vendit, kombëtare dhe ndërkombëtare për idenë e formësimit të shteteve etnike në Ballkan, të cilat sipas tij, janë më rezistente.

Zoti Thaçi tha se besonte në suksesin e kësaj ideje dhe shtoi se do të përdorte metoda politike për ta arritur atë. Ai pohoi se bashkësia ndërkombëtare do t’i rezistonte një ideje të tillë, por shtoi se kishte argumenta të forta në favor të saj.

Arsyet e dorëheqjeve të zotërinjve Xhaferri dhe Thaci

Kryetari dhe nënkryetari I Partisë Demokratike shqiptare paraqitën dorëheqjet e tyre duke thënë se partia e tyre gjendet para dilemës: të ndërrojë politikën e saj e cila bazohet në idenë për ndërtimin e një shoqërie shumëetnike, tolerante dhe gjithëpërfshirëse, duke e zëvëndësuar me idenë për ndarje territoriale, ose të ndërrojë drejtuesit e partisë.

Kryetari I PDSH-së, Arbër Xhaferri tha në mbledhjen e kuvendit drejtues të partisë në Tetovë, se ndërrimi I kursit politik të PDSH-së është i rrezikshëm sepse bie ndesh me kursin global politik të komunitetit ndërkombëtar, por shtoi se ky kurs bie ndesh me tendencën historike që thërrmon formacionet shumëetnike shoqërore.

Zoti Xhaferri tha se bindjet e tij janë në përputhje me tendencën historike dhe shtoi se ato janë në kundërshtim me programin e PDSH-së. Duke theksuar se nuk dëshiron ta vërë partinë në kundërshtim me bashkësinë ndërkombëtare, zoti Xhaferri tha se shihte si rrugëdalje dorëheqjen.

Duke theksuar se marrëveshje e Ohrit nuk po zbatohet, zoti Xhaferri tha se pala maqedonase synon t’i shndërrojë të drejtat e parapara në këtë marrëveshje në të drejta të pashfrytëzueshme dhe synon ta vendosë partnerin e saj të koalicionit, BDI, në një pozitë inferiore.

Zoti Xhaferri theksoi se përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie shumëetnike ishin të kota dhe se ardhmëria e shteteve shumëetnike është shumë e diskutueshme. Ai shtoi se partia e tij po përpiqet të parandalojë tendencat për ndarjen e Maqedonisë.

Tani është koha të vendosim nga duhet të shkojmë, tha zoti Xhaferri, duke shtuar se në Maqedoni nuk sheh gadishmëri për funksionimin e një shteti shumëetnik. Nënkryetari I partisë, Menduh Thaçi, i cili gjithashtu paraqiti dorëheqjen, tha se marrëveshja e Ohrit është një dokument i vdekur dhe se LSDM dhe BDI e kanë mbytur atë.

Zoti Thaçi hodhi poshtë mundësinë e ndonjë aleance me VMRO-DPMNE-në e ish-kryeministrit Lupco Georgievski, duke thënë se ata kërkojnë ndarjen nga shqiptarët, ndërkohë që shtoi se nuk ka shanse për ndonjë aleancë me LSDMN-në.

Ish-kryeministri Georgievski, kërkoi në një shkrim të tij të botuar në të përditshmen maqedonase Dnevnik, ndarjen e Maqedonisë, krijimin e një këshilli nacional maqedonas për ta realizuar këtë dhe përfshirjen e kishës ortodokse në realizimin e këtij projekti. Ai kërkoi që qytetet e Shkupit, Kumanovës, Strugës dhe Kërcovës, të mbrohen nga shqiptarët.

Drejtuesit e PDSH-së hodhën poshtë çdo lidhje midis kërkesës së zotit Georgievski për ndarje të Maqedonisë dhe zhvillimeve brenda Partisë Demokratike Shqiptare. Drejtuesit e PDSH thanë se vendimet e tyre nuk janë politike, nuk kanë të bëjnë me ekstremizma apo AKSH-në. Nënkryetari i PDSH-së, Menduh Thaci se partia e tij nuk po luftonte për tu kthyer në pushtet dhe se dëshironte të parandalonte krizën. //kk//

XS
SM
MD
LG