Lidhje

Turqia, dakord të dërgojë trupa paqeruajtëse në Irak - 2003-04-20


Turqia ra dakord të dërgojë trupa në Irak për misione paqeruajtëse, ndërkohë që shtohen përpjekjet për të rikthyer gjendjen e sigurisë dhe shërbimet e domosdoshme vendin e shkatërruar nga lufta.

Ministri i jashtëm turk, Abdullah Gyl, tha të djelën se Ankaraja ka pranuar një kërkesë të Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar përpjekjet paqëruajtëse dhe do ta informojë Uashingtonin lidhur me gadishmërinë e saj në ditët e ardhshme.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se irakianët po kalojnë një fazë kritike dhe u bëri thirrje forcave amerikane të rivendosin furnizimin me energji elektrike, me ujë dhe shërbime të tjera të nevojshme në Bagdad.

Zyrtarë amerikanë kanë mbështetur përpjekjet mes grupeve të ndryshme etnike, fetare dhe politike të Irakut për të formuar një qeveri të re.

Një figurë e njohur e opozitës irakiane tha të djelën se Iraku ka nevojë, siç u shpreh ai, për një kushtetutë demokratike liberale, në bazë të së cilës do të mbaheshin zgjedhjet. Duke folur në televizionin amerikan, Ahmed Çelebi, i Kongresit Kombëtar Irakian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, tha se partitë islamike duhet të luajnë rol me që ato përfaqësojnë një pjesë të popullatës. Por ai shtoi se këto parti nuk duhet t’u imponojnë rendin e tyre të ditës popullit të Irakut.

Gazeta New York Times: Shtetet e Bashkuara do të mbajnë deri në 4 baza në Irak

Gazeta Nju Jork Tajms shkruan se Shtetet e Bashkuara po planifikojnë marrëdhënie afatgjata ushtarake me qeverinë e re që do të krijohet në Irak, përfshirë edhe mundësinë e shfrytëzimit të bazave.

Në artikullin e botuar në numrin e së djelës të Nju Jork Tajmsit, citohen zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Bush të jenë shprehur se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mbajtjen e deri katër bazave në Iraq, përfshirë një në aeroportin ndërkombëtar në rrethinat e Bagdadit.

Zyrtarë thonë se ushtria amerikane po i përdor tashmë bazat për mbështetjen e operacioneve kundër mbeturinave të qeverisë së mëparshme irakiane. Bazat po përdoren gjithashtu për dërgimin në Irak të furnizimeve dhe ndihmave dhe për patrullime zbulimi.

Një zyrtar i lartë i tha gazetës Nju Jork Tajms se do të vendosen marrëdhënie afatgjata me Irakun në fushën e mbrojtjes, por shkalla e këtyre marrëdhënieve nuk është përcaktuar ende.

Artikulli shkruan se zyrtarët thonë që çështja e bazave nuk është në kundërshtim me politikën e administratës amerikane për t’u tërhequr shpejt nga Iraku. Artikulli shton se zyrtarët amerikanë janë të vetëdijshëm se një prani amerikane në rritje mund ta bëjë administratën objekt të akuzave për ngritje perandorie, dhe mund të krijojë objektiva të reja për sulme terroriste.

Udhëheqësi shpirtëror i myslimanëve shia imaili: toleranca - tepër e nevojshme në këto momente

Aga Khan, udhëheqës shpirtëror i 15 milionë myslimanëve të sektit shia ismaili në botë, thotë se toleranca ndërmjet shumë kulturave botërore, vlerave dhe besimeve është tepër e nevojshme në këtë moment të historisë.

Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Reuters, ndërkohë që lufta në Irak ka rënë, Princi Qerim Aga Khan tha se nevoja për një kuptim më të mirë ndërkulturor nuk ka qenë asnjëherë më e madhe.

Dijetari islamik thotë se një kuptim dhe tolerancë e tillë janë thelbësore pikërisht për mbijetesën e një bote të ndërvarur dhe e quajti edukimin instrumentin kryesor për arritjen e këtij qëllimi.

Ai thotë gjithashtu se duhej të ishte vepruar për parandalimin e plaçkitjeve të antikave të paçmuara e të pazëvendësueshme të Irakut, që janë grabitur nga një muze në Bagdad.

Muslimanët shia përbëjnë shumicën në Irak, kurse muslimanët shia ismaili, të shpërndarë në më shumë se 20 vende, përbëjnë grupin e dytë më të madh në botë të besimtarëve shia.

Aga Khan, që konsiderohet si pasardhës i drejtpërdrejtë i Profetit Muhamet, drejton një rrjet me shtrirje botërore organizatash bamirësie e biznesi. //az//

XS
SM
MD
LG