Lidhje

Gjenerali Garner viziton Irakun verior - 2003-04-20


Gjenerali amerikan në pension, Xhej Garner, i cili do të mbikqyrë përpjekjet për rindërtimin e Irakut, shkoi në veriun irakian për t’u takuar me udhëheqësit kurdë.

Gjenerali Garner shkoi me avion sot nga Bagdati për në Sulejmanie dhe u takua atje me udhëheqësit e Bashkimit Patriotik të Kurdistanit - një nga grupet kryesore kurde që kundërshtonte sundimin e Saddam Husseinit. Gjenerali pritej të vizitonte edhe qytetin më të madh verior, Mosul.

Dje në Bagdat, gjenerali Garner u tha gazetarëve se po përpiqet për rivendosjen e shërbimeve normale në vend dhe për krijimin e kushteve që do të lejonin krijimin e një qeverie të re irakiane. Ai tha se nuk e dinte se sa do të zgjaste misioni i tij, por shtoi se kishte si objektiv që kontrolli i Irakut t’i kalonte relativisht shpejt vetë popullit irakian.

Detyra e parë e ekipit të tij është rivendosja e furnizimit me energji dhe me ujë. Pjesa më e madhe kryeqytetit irakian është pa energji elektrike që nga fillimi i prillit, para shembjes së regjimit të Saddam Husseinit. Zyrtarët thonë se dje një pjesë e shërbimit elektrik u rivendos dhe se inxhinjerët amerikanë dhe ata irakianë po punonin për rikthimin e plotë të furnizimit me energji.

Dje, disa qindra myslimanë shiitë demonstruan përsëri në kryeqytetin irakian, para një hoteli ku banojnë oficerë amerikanë, në shenjë proteste kundër pranisë amerikane. Ata kërkuan lirimin e një kleriku shiit që sipas tyre është arrestuar nga trupat amerikane.//ii

XS
SM
MD
LG