Lidhje

Komentet e sekretarit Rumsfeld për Irakun e Ri - 2003-04-21


Tani që regjimi i Sadam Huseinit është çrrënjosur nga Iraku, koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara po punon që qeveria e Irakut t’i kthehet popullit irakian.

Grupe irakiane në mërgim, figura të opozitës dhe udhëheqës fisnorë e fetarë po zhvillojnë takime me zyrtarë të koalicionit për krijimin e një autoriteti të përkohshëm në Irak. Siç u shpreh Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, autoriteti i përkohshëm do t’i japë përgjegjësinë e qeverisjes popullit të Irakut.

“Fillimisht, ai do të bëjë që irakianët të kenë një rol të drejtpërdrejtë në administratën e vendit të tyre, përfshirë përgjegjësinë për drejtimin e disa ministrive. Së dyti, autoriteti i përkohshëm do të marrë përgjegjësi për përgatitjen e terrenit për një qeveri të re irakiane, përfshirë përpilimin e një projekt-kushtetute, reformimin e sistemit ligjor, reforma ekonomike, planifikimin e zgjedhjeve dhe përpilimin e parimeve të një karte të drejtash që sigurojnë një sistem të drejtë i cili të garantojë që popullata e larmishme e Irakut të ketë fjalën e vet në qeverisjen e vendit të saj”, tha zoti Rumsfeld.

Siç tha Sekretari Rumsfeld, institucionet demokratike nuk mund të imponohen nga jashtë: “Ne, tha ai, mund të ndihmojmë që irakianët të ulen e të diskutojnë, si dhe mund të japim ndihmën tonë për krijimin e kushteve të qendrueshmërisë e sigurisë, të domosdoshme që një shoqëri të hedhë rrënjë, por ndërtimi i një Iraku të lirë është e drejtë dhe me të vërtetë përgjegjësi e popullit irakian”.

Ky proces tha Sekretari i Mbrojtjes, Rumsfeld, do të çojë në një qeveri irakiane e cila nuk kërcënon fqinjët e vet apo botën me armë të shkatërrimit në masë, qeveri e cila nuk mbështet rrjetet terroriste, garanton të drejtat e grupeve fetare e etnike, lejon liri politike, liri individuale dhe sundimin e shtetit juridik në mënyrë që asnjë irakian të mos detyrohet të jetojë në terror e frikë.

XS
SM
MD
LG