Lidhje

Cërvenkovski: ideja e ndarjes së Maqedonisë në vija etnike, ide e dështuar - 2003-04-21


Kryeministri maqedonas Branko Cërvenkovski kritikoi sot ashpër idenë për ndarjen e vendit sipas përkatësisë etnike të paraqitur nga zoti Lubço Georgievski i partisë VMRO DPMNE të opozitës. Kryeministri maqedonas tha se ekziston pajtim i plotë dhe i qartë midis dy nënshkruesve të Marrëveshjes së Ohrit, zotërinjëve Georgievski dhe Arbën Xhaferi, por ai shtoi se tezat e tyre kanë marrë tatëpjetën. Edhe ambasadorët e organizatave euroatlantike dhe të Amerikës në Maqedoni bëjnë thirje për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Kryeministri Branko Cërvenkovski i quajti partitë VMRO dhe PDSH dhe drejtuesit e tyre një opozitë shkatërrimtare që me përpjekjen e fundit u përpoqën ta bëjnë atë që nuk e realizuan gjatë qeverisjes së tyre: ndarjen e vendit dhe shkatërrimin e sovranitetit të tij.

Zoti Cërvenkovski tha se qeveria e Maqedonisë mbron me forcë integritetin tokësor të Maqedonisë i edhe ndërtimin e një shoqërie shumëetnike. Kryeministri Cërvenkovski tha se deklarimi i Marrëveshjes së Ohrit si koncept i falimentuar në kohë të njejtën nga ana e dy nënshkruesve, tregon qartë se zotërinjtë Georgievski, Xhaferi dhe Thaçi i kanë bëshkërenduar deklaratat e tyre dhe se skenare të tilla të shprehur në mënyrë publike nxisin ekstremizmin e radikalizmin dhe bëjnë thirrje për aktivizimin e veprimtarisë së fshehtë politike dhe kriminale në Maqedoni.

Zoti Cërvenkovski bëri një mesazh duke theksuar qeveria e Maqedonisë di t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat institucionale të garantuara me kushtetutë dhe nuk do të lejojë destabilizm të sërishëm të vendit. Njëkohësisht, qeveria, tha ai, u bën thirrje forcave përparimtare dhe qytetarëve të Maqedonisë pa dallim përkatësie etnike dhe fetare, që t’i dënojnë dhe refuzojnë këto skenare apokaliptike dhe promovuesit e tyre, siç u shpreh ai.

Zoti Cërvenkovski tha se e ardhmja e Maqedonisë mbështet në paqe dhe jo në luftë, në bashkim dhe jo në spastrimin etnik; në integrime dhe jo përçarje, në pranimin e vlerave evropiane dhe jo në ngjalljen e koncepteve fashiste e mesjetare. Maqedonia, tha kryeministri maqedonas, ka aftësi demokratike të mposhtë ata që duan ta sulmojnë të ardhmen e saj.

Ndërkohë, ambasadorët e vendeve dhe të organizatave me ndikim në Maqedoni, si Natoja, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja në një komunikatë të përbashkët të lëshuar të hënën theksojnë se kufijtë e Maqedonisë janë të pacenueshëm. Në Maqedoni nuk ka vend për dhunën dhe Marrëveshja e Ohrit duhet zbatuar plotësisht në mënyrë që të shmangen tragjeditë e së kaluarës, shkruajnë ata.

Në komunikatë thuhet se kjo marrëveshje është rruga e vetme drejt së ardhmes dhe partitë politike e përfaqësuesit e tyre, nënshkrues të saj, kanë përgjegjësi që t’i bashkohen në mënyrë aktive procesit në mënyrë që ai të jetë i suksesshëm. Ambasadorët Biegman, Butler, Bruns dhe Jennes theksojnë se zbatimi i Marrveshjes nuk duhet të pengohet në asnjë mënyrë me veprime që bien ndesh me angazhimet e mëparshme.

//rd//

XS
SM
MD
LG