Lidhje

Ahmeti: Populli nuk më mbështeti për të ndarë Maqedoninë - 2003-04-22


Dy partitë e opozitës në Maqedoni, Partia Demokratike Shqiptare dhe VMRO-DPMNE u shprehën ditët e fundit se ky vend nuk mund të ekzistojë si një shtet shumë-etnike dhe kërkuan rishikimin e kufijve. Në kuadër të kësaj nisme, PDSH vendosi të pezullojë aktivitetin e saj politik. Ky zhvillim i ri është pritur me shqetësim. Kryeministri i Maqedonisë Branko Cervenkovski dhe kryetari i Partisë Demokratike për Integrim Ali Ahmeti, zhvilluan sot( 22 prill) një takim për të diskutuar rreth kësaj situate të re politike. Në emisionin Ditari i morrëm këtë intervistë kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti.

Zoti Ahmeti, a mund të na thoni fillimisht se çfarë u diskutua në takimin me kryeministrin Cërvenkovski?

Ali Ahmeti: Sigurisht që biseduam për situatën në Maqedoni, me theks të veçantë lidhur me angazhimet të cilat i kemi marrë si partnerë në koalicionin që jemi, për jetësimin e shumë detyrave që janë vendosur në nivele politike dhe kërkojnë zbatim praktik sot dhe për situatën në ditët e fundit që është shfaqur në Maqedoni.

Zoti Ahmeti, synimi kryesor i Marrëveshjes së Ohrit ishte ekzistenca e Maqedonisë si një shtet i vetëm shumëetnik. Pas zhvillimeve të fundit, a mund të quhet sot kjo marrëveshje e dështuar dhe a rrezikon Maqedonia që të ndahet në dy njësi më vete?

Ali Ahmeti: Qasje të tilla duhet të jenë mjaft serioze. Në radhë të parë, Marrëveshja e Ohrit nuk është marrëveshje që është bërë në mes të palëve të një koalicioni. Marrëveshja e Ohrit vjen si rezultat i kërkesave të vazhdueshme të shqiptarëve për të pasur të drejtat e tyre në vendin e vet. Kështu që në sajë të mosrealizimit të atyre të drejtave në rrugë institucionale, në rrugë demokratike që janë shfaqur shpesh herë brenda bulevardeve të qyteteve të Maqedonisë, erdhi deri tek shpërthimi i luftës. Ne mendojmë, dhe i gjithë opinioni përparimtar mendon se Marrëveshja e Ohrit është marrëveshje e cila garanton të drejtat e shqiptarëve. Kjo marrëveshje ka garant tre qendra ndërkombëtare të vendosjes: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Naton dhe Bashkimin Evropian. Praktikisht me këtë marrëveshje është bërë edhe pajtimi mes dy komuniteteve më të mëdha që jetojnë në Maqedoni, komunitetit shqiptar dhe komunitetit maqedonas dhe çdo iniciativë tjetër rreth ndarjes apo ngritjes së kufijve ka pasoja jo vetëm për Maqedoninë, jo vetëm për dy komunitetet më të mëdha që jetojnë këtu në Maqedoni, sepse ne qytetet i kemi mjaft të përziera, por ka pasoja edhe për rajonin. Këto inciativa ne nuk mendojmë se shkojnë në favor të komuniteteve që jetojnë në Maqedoni, komunitetit shqiptar dhe komunitetit maqedonas. Kështu që duhet të jemi më të kujdesshëm në këtë drejtim. Në fund të fundit, e ardhmja e Maqedonisë dhe e ardhmja e rajonit në përgjithësi është në integrimet brenda bashkësisë evropiane, në integrim në Nato dhe jo në ndarje.

Megjithatë a jeni i shqetësuar nga komentet e fundit të këtyre dy partive të opozitës?

Ali Ahmeti: Sigurisht që pa shqetësim nuk mund t’i kalojmë këto situata, sepse mund të reflektohen njerëz të cilët nuk i kuptojnë rrjedhat politike se ku gjendemi ne. Synimi ynë është që ne, me dinjitet të integrohemi në bashkësinë evropiane. Synimi ynë është që me dinjitet të integrohemi pranë strukturave të Natos dhe ne praktikisht, në qoftë se dalim me iniciativa të tilla, krijojmë dilema te komuniteti evropian, krijojmë dilema te Natoja se akoma jemi të papjekur të integrohemi pranë këtyre strukturave.

Zoti Ahmeti, ju u vutë në krye të kryengritjes së armatosur, pra të rrugës më ekstreme për të kërkuar më shumë të drejta për shqiptarët, siç u shprehët edhe ju vetë. Ndërsa sot, si kryetar i një partie politike, ju e gjeni veten në mbrojtje të ekzistencës së shtetit të Maqedonisë. A shihni ndonjë rrezik që mbështetja popullore për partinë tuaj mund të humbasë dhe PDSH-ja me nismën e saj të fitojë më shumë përkrahje.

Ali Ahmeti: Mua populli nuk më mbështeti për ta ndarë Maqedoninë. Unë u deklarova dhe kam qenë shumë besnik: Maqedonia është atdheu im dhe unë nuk mund t’i nxjerr eshtrat e babait tim, apo të gjyshit dhe të katragjyshit dhe t’i çoj diku gjetkë. Ky është vendi im dhe për këtë vend unë do të luftoj dhe do të përpiqem deri në jetësimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve. Kështu që unë nuk dola me obsione për ndarje, për copëtime, por dola për të drejta të shqiptarëve. Këtu e gjeta edhe mbështetjen. Pikërisht me këtë koncept dola edhe në zgjedhjet e vitit 2002 që u zhvilluan në Maqedoni, dhe pikërisht për këtë koncept ma dha votën populli shqiptar në Maqedoni dhe unë do të përpiqem deri në maksimum që ky elektorat, populli im të mos zhgënjehet.

Zoti Ahmeti, megjithatë ka analistë që e shohin me dyshim ekzistencën e Maqedonisë si një shtet i vetëm dhe thonë se një nga arsyet pse duhet ndarë vendi është se shqiptarët nuk e kanë ndjerë asnjëherë veten në Maqedoni si në shtetin e tyre dhe besnikëria e tyre ndaj shtetit është minimale. Nisma e PDSH-së në një farë mënyre e shpreh këtë ndjenjë të shumë banorëve të vendit tuaj. Çfarë mund të bëni ju si parti në koalicionin qeveritar që popullsia shqiptare ta kundërshtojë ndarjen dhe ta shohë Maqedoninë si shtetin e vet, pra që në vendin tuaj dy komunitetet mos të zhvillojnë jetë të ndara, ashtu siç po ndodh sot.

Ali Ahmeti: Sigurisht që po. Me të gjitha veprimet tona përpiqemi që shqiptarët ta ndjejnë veten në shtëpi të vet dhe jo si huaj në vendin e vet. Po përmend vetëm disa shembuj që unë i di në vendin tim. Për 100 e ca vite në vendlindjen time që ka pasur stacion policie, asnjëherë nuk ka pasur shqiptarë. Për herë të parë në krye të këtij stacioni vihet komandant një djalë i ri shqiptar. Po ta përmbledh me një fjalë, që nga Struga e deri në Likov të Kumanovës të gjithë komandantët e policisë të trevave shqiptare janë komandantë shqiptarë. Të përmendim këtu Tetova, Dibra, Gostivari që asnjëherë më parë nuk kanë pasur shqiptarë. Po ashtu, spitalet nga Struga në Kumanovë. Shqiptarët udhëheqin dy klinika universitare atë të gjinekologjisë dhe stomatologjisë në Shkup dhe spitale të tjera nëpër qytete si Kërçovë, Dibër, Tetovë, Strugë dhe Kumanovë. Këto janë gjëra që shihen nga banorët shqiptarë. Këto janë hapat e para. Ne nuk kemi bërë premtime që do të bëjmë mrekulli brenda ditës, sepse Marrëveshja e Ohrit ka një afat tre-vjeçar për zbatim, dhe këto janë hapat e parë. Ne do të përpiqemi që zgjedhësit të mos zhgënjehet. Ne kemi edhe vështirësitë tona, mirëpo jemi më se të sigurtë se Marrëveshja e Ohrit do të zbatohet në tërësi, sepse ka mbështetjen e qytetarëve, dhe gjithashtu këtij procesi i paraprin njerëz të cilët e kanë kuptuar seriozisht situatën. Kemi gjithashtu garanci shumë të fuqishme edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Zoti Ahmeti. Ju keni njoftuar se do të takoheni këto ditë me kryetarin e PDSH-së Arbër Xhaferri. Çfarë prisni nga ky takim?

Ali Ahmeti: Unë zotin Xhaferri e kam pasur mik dhe e kam mik dhe vazhdimisht kam folur haptazi me të për problemet. Mendoj që edhe për këtë situatë të flasim hapur, sepse edhe Marrëveshjen e Ohrit kemi qenë të pajtuar bashkarisht që është në favor të shqiptarëve dhe si të tillë edhe e kemi miratuar. Edhe për këto situata duam të flasim haptazi.

//rd//

XS
SM
MD
LG